Moisiu kthen në parlament për rishqyrtim ligjin “Për auditimin e brednshëm n&e
Albeu.com
Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ktheu për rishqyrtim në Kuvend, ligjin "Për auditimin e brendshëm në sektorin publik".Duke motivuar arsyet e kthimit për rishqyrtim të këtij ligji, zoti Moisiu thekson se ", "transparenca në veprimtarinë e përditshme të zyrtarëve publike është padyshim një nga elementët dhe kërkesat që kërkon një qeverisje kushtetuese, por më e rëndësishme bëhet kërkesa për transparencë kur shtrohet për diskutim veprimtaria ekonomike e institucioneve shtetërore".

Duke vijuar më tej, ai thekson se "Kushtetuta, në nenin 162 të saj, përcakton se “Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar, dhe i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve". "Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi, me propozim të Presidentit të Republikës”. Ky pozicion kushtetues i KLSH lidhet ngushtë me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Është pikërisht ky parim i rëndësishëm qeverisjeje, që kërkon që kontrolli i veprimtarisë së organeve publike, të bëhet jo nga një degë e pushtetit, cilado qoftë ajo, por, nga një organizëm, i cili nuk do të bënte pjesë në asnjërin nga pushtetet, legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor", thuhet në argumentat e Presidentit Moisiu.

Duke argumentuar arsyet e rikthimit për shqyrtim në Kuvend të këtij ligji, Presidenti theksoi se "e vlerëson në këtë prizëm kushtetues dhe politik". Sipas tij, "nga analiza e këtij ligji, rezulton se cënohet pikërisht, fryma që Kushtetuta përçon në rastin e kontrollit të veprimtarisë ekonomike të sektorit publik, ndërkohë që neni 2 i ligjit bën një dublim të rolit kushtetues të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pasi fusha e zbatimit të auditimit të brendshëm, sipas ligjit të ardhur për shpallje, është e njëjtë me funksionet që i ngarkohen KLSH nga Kushtetuta dhe ligji organik i tij, i cili miratohet me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit".

"Nenet 162 dhe 163 të Kushtetutës dhe nenet 1 dhe 7 të ligjit nr 8270, datë 23.12.1997 “Për KLSH”, i ndryshuar, kanë përcaktuar qartësisht pozicionin dhe rolin e Kontrollit të Lartë të Shtetit në sistemin qeverisës në Shqipëri. Dublimi që parashikon ligji i ardhur për shpallje do të ishte i panevojshëm dhe krijon dublim kompetencash mes KLSH dhe auditimit të brendshëm", theksoi Presidenti Moisiu.

Më tej, ai vlerëson se "dhënia e kompetencës për auditimin dhe kontrollin e institucioneve të pavarura apo organizmave që nuk janë në varësi të pushtetit ekzekutiv, një organi në varësi të pushtetit ekzekutiv, më konkretisht, Ministrit të Financave, padyshim do të vinte në kundërshtim me sistemin politik të qeverisjes në shtetin e së drejtës".

"Pavarësisht, se neni 5 i ligjit përcakton parimet e ligjshmërisë, pavarësisë, paanësisë dhe fshehtësisë, si parime të përgjithshme të funksionimit të auditimit, fusha e veprimtarisë së auditimit të brendshëm, organizimi dhe varësia e tij, nuk garantojnë pavarësi dhe paanësi të kësaj njësie", vlerëson Presidenti Moisiu.

Gjithashtu, sipas tij, "fusha e zbatimit të auditimit të brendshëm parashikuar në nenin 2 të ligjit, përbërja e auditimit të brendshëm, të percaktuar në nenin 9, varësia dhe kompetencat e drejtorisë së përgjithshme të auditimit, përcaktuar në nenet 15 dhe 16, detyrimi i institucioneve të pavarura për të siguruar realizimin e auditimit të brendshëm, përcaktuar në nenin 25, janë dispozitat, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë cënojnë parimin e ndarjes së pushteteve të parashikuar nga neni 6 i Kushtetutës". start
Shtuar më 15/05/2007, ora 16:42
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori