Moisiu: Ja arsyet që nuk firmosa shkarkimin e Sollakut!
Albeu.com
“Vendosa të mos e shkarkoj Prokurorin e Përgjithshëm për arsye se propozimi për shkarkimin e tij nuk ka mbështetje në kriteret dhe procedurat e parashikuara në Kushtetutë dhe në jurisprudencën kushtetuese”.Keshtu u shpreh presidenti Alfred Moisiu gjate nje deklarate per shtyp qe beri nga selia e presidences. Ai tha se megjithese kushtetuta nuk e parashikon nje sqarim te presidentit ne raste te tilla, per te qene korrekt me parlamentin dhe opinionin shqiptar, vendosi te shpjegonte ne menyre publike shkaqet e vendimit te tij. “Pas vlerësimit të procedurave për ngritjen dhe funksionimin e komisionit hetimor parlamentar, si dhe të raportit të miratuar nga Kuvendi, referuar drejtpërdrejtë edhe vendimit nr. 75, datë 19.04.2002, të Gjykatës Kushtetuese, nuk gjej shkelje të tilla të ligjit në veprimtarinë e Prokurorit të Përgjithshëm, sa të përbëjnë rast për shkarkimin e tij, sikurse e kërkon neni 149, paragrafi 2 i Kushtetutës. Konkretisht nuk më rezulton se Prokurori i Përgjithshëm ka shkelur Kushtetutën, ka bërë shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, ka paaftësi mendore a fizike apo ka bërë akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit”, shtoi ai.
Zoti Moisiu siguroi opinionin shqiptar se vendimi i tij perputhet ne menyre te plote me betimin qe ai ka bere ne momentin e parë të marrjes së detyrës së lartë të Presidentit të Republikës. Më tej ai i kërkoi publikisht Prokurorit të Përgjithshëm të vazhdojë punën dhe të nxjerrë konkluzionet e duhura nga kritikat konstruktive të parlamentit dhe opinionit publik për të reformuar dhe ngritur në nivelin e kërkuar veprimtarinë e Prokurorisë. “U bëj gjithashtu thirrje forcave politike dhe Kuvendit, që larg spekullimeve dhe interesave politike të ditës, të jenë në nivelin e kërkuar të etikës dhe kulturës demokratike në vlerësimin e vendimeve të Presidentit të Republikës, për të dëshmuar kështu se Shqipëria e ka lënë pas periudhën e tranzicionit konfliktual dhe se ka hyrë tashmë në rrugën e pakthyeshme të aplikimit të shtetit të së drejtës dhe të standardeve që na afrojnë me familjen e madhe europiane që është ëndrra e tij gjithë popullit tonë”, tha zoti Moisiu.
Presidenti u shpreh se çështja e Prokurorit të Përgjithshëm e ka preokupuar mjaft jo vetëm për shkak të përfshirjes së tij kushtetuese, por edhe si një çështje e marrëdhënieve ndërinstitucionale në një demokraci të re dhe të brishtë sikurse është edhe demokracia shqiptare. “Në pikëpamjen time mbi shtetin e së drejtës, megjithëse ai funksionon si një i tërë dhe institucionet kushtetuese janë të ndërvarur nga njëri-tjetri në veprimtarinë e tyre, brenda kësaj ndërvarësie dhe bashkëpunimi institucional, në thelb qëndron pavarësia dhe autonomia në kryerjen e funksioneve kushtetuese. Pavarësinë e pushteteve dhe të institucioneve kushtetuese nuk e shikoj si mundësi për të mbuluar funksionimin jo të mirë të tyre apo si përjashtim nga përgjegjësitë dhe kontrolli, por si një mundësi thelbësore për administrimin e shtetit mbi parimet mbi të cilat funksionon shteti i së drejtës”, tha zoti Moisiu. Sipas tij, vendimi i Kuvendit nuk është një propozim i drejtëpërdrejtë për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, por miratim i raportit të komisionit hetimor parlamentar. Ai tha se vendimin qe ka marre e ka konsultuar me një grup juristësh shqiptarë, europianë dhe amerikanë, si dhe me raste të ngjashme në Hungari, Lituani, etj. “Komisioni mori përsipër të gjykojë nëse vendimet e marra nga prokurorët për çështje të caktuara penale janë ose jo të bazuara në ligj. Për secilin rast, komisioni ka vlerësuar të gabuara mosfillimet, pushimet apo pezullimet e çeshtjeve penale të analizuara. Në gjykimin tim ky qëndrim i komisionit, i miratuar më pas nga Kuvendi, është në kundërshtim me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve, parashikuar nga neni 7 i saj, si dhe me ligjin për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore dhe Kodin e Procedurës Penale, sipas të cilave vendimmarrja për procedimin penal është kompetencë vetëm e organit të prokurorisë”, tha zoti Moisiu.
Presidenti, duke komentuar përbërjen e komisionit hetimor dhe qëndrimet e disa prej anëtarëve të tij, tha se “arrita në përfundimin se kemi të bëjmë me një cënim të parimit të një procesi të rregullt ligjor dhe të prezumimit të pafajësisë. Kjo, pasi anëtarë të veçantë të komisionit kanë marrë përsipër të deklarojnë si të provuara të gjitha shkeljet dhe akuzat e pretenduara, të cilat nuk ishin verifikuar më parë nga Komisonit Hetimor”.
Shtuar më 14/10/2006, ora 15:24
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori