Modeli "Beneluks për Ballkanin", JO Shqipëri e Madhe
Ideja e hedhur pak kohë më parë për integrimin rajonal ekonomik mes Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, sipas modelit të Beneluksit ka si qëllim zgjerimin e tregut dhe jo ndryshimin e kufijve në Ballkan.


Politikanë, profesorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga këto vende shprehen se askush nuk duhet të frikësohet nga ky lloj bashkëpunimi, i cili ka të bëjë me përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve dhe jo me krijimin e shteteve të mëdha.

“Beneluksi i Ballkanik nuk është ndryshim kufijsh, nuk promovohet një gjë e tillë. Ne promovojmë vetëm bashkëpunimin. Nuk është alternativë ndaj NATO-s, secili prej vendeve do të anëtarësohet në NATO, nuk është një koncept i Shqipërisë së Madhe. Deri sa nuk flasim për ndryshim kufijsh, është thjesht një koncept bashkëpunimi”, -tha Ardian Shehu, kryetar i AGREEI.

Përveç interesit ekonomik, bashkëpunimi i vendeve të rajonit, sipas modelit të një Benelux-i ballkanik, u mundëson atyre të përshpejtojnë edhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, shkruan Shekulli.

“Ky sukses i bashkëpunimit në kuadër të rajonit do të ndikojë së pari për kushte më të mira ekonomike dhe gjithashtu do të japë një kontribut për të bindur BE-në, se rajoni është pjekur dhe i gatshëm për t’u bashkangjitur”, -u shpreh Izet Mexhiti, kryetar i komunës Çair në Shkup.

“Nuk ka asnjë dyshim për efektet pozitive të bashkëpunimit rajonal, që bashkëpunimi është një instrument i fuqishëm për përshpejtimin e procesit të integrimit në BE. Këtu kam parasysh edhe një proces të pajtimit dhe të forcimit të besimit reciprok në rajon, përmirësimit të jetesës së popujve në Ballkan dhe rritjes ekonomike të rajonit”, -deklaroi Edmond Hoxha, ish-zëvendësministër i Integrimit në Shqipëri. /albeu.com/
Shtuar më 27/11/2013, ora 10:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori