Mobikos-Mobitel beson se do të bëhet operator i dytë i telefonisë mobile
Albeu.com
Zyrtarë nga kompania sllovene e telefonisë mobile, Mobitel, kanë deklaruar për radion Blue Sky se janë optimist që konzorciumi Mobikos-Mobitel do të jetë operator i dytë i telefonisë mobile në Kosovë. Sergej Goriup, nënkryetar i Mobitelit ka qëndruar në Prishtinë për t’u njohur më për së afërmi me ecuritë, pas vendimit të qeverisë së Kosovës që të bëhet rivlerësim i tenderit nga një kompani konsulente profesionale.Vendimi më i fundit i qeverisë për rivlerësim të tenderit për operatorin e dytë të telefonisë mobile në Kosovë, ka ringjallur besimin tek fituesi shumë i përfolur i tenderit, konsorciumi Mobikos-Mobitel. Për këtë arsye, zyrtarët e kompanisë më të fuqishme në tregun slloven, Mobitel, në krye me zëvendës-presidentin Sergej Goriup, kanë qëndruar në Kosovë për t’u njohur me ecuritë. Goriup tha se kishin ardhur në Prishtinë, pas vendimit të qeverisë për rivlerësim. Ai tha se ky rivlerësim nuk i frikëson ata. Përkundrazi, janë të bindur se oferta e tyre ka qenë më e mira. Një kompani e specializuar në fushën e telekomunikacionit, do të bëjë rivlerësimin e tenderit, e cila më pas do t'i japë qeverisë vlerësimin përfundimtar. Qeveria e Kosovës dhe Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit (ART) do të jenë bashkë-financues të procesit të rivlerësimit të tenderit, i cili pritet të kushtojë afër 100 mijë euro, ndërkohë shpallja e tenderit për përcaktimin e kompanisë për rivlerësim, pritet të bëhet së shpejti. Ish-ministri i Telekomunikacionit, Zef Morina, në gusht të vitit 2004, pas sugjerimit të UNMIK-ut, Qeverisë dhe auditorëve ndërkombëtarë, e kishte anuluar tenderin për operatorin e dytë të telefonisë mobile, me arsyetimin se kishte shkelje procedurash. Më pas, është bërë një vlerësim i procedurave të tenderit nga kompania irlandeze Helm, hetimet e së cilës u komentuan në mënyra të ndryshme. Ndërkohë, konsorciumi ka bërë edhe pagesën e 6.5 milionë eurosh në buxhetin e Kosovës, ashtu si ishte përcaktuar me tender. “Edhe kjo pagesë dëshmon se ne jemi kompani serioze”, tha nënkryetari Goriup, gjatë vizitës më të fundit në Prishtinë. Ai tha se me rikonfirmimin e fitores së tyre, shumë shpejt do t’i vendosin antenat dhe qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të zgjedhin për operatorin i cili ofron shërbime më të mira dhe më të lira. rtk
Shtuar më 05/11/2005, ora 18:04
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori