MM: Vdekja e 42-vjecarit jashtë territorit të repartit
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar në lidhje me ngjarjen në Skrapar ku si pasojë e shpërthimit të një djegoreje predhe gjeti vdekjen 42-vjeçari Fatos Dyrmishi.

Në një deklaratë për shtyp, MM sqaron se ngjarja ka ndodhur jashtë territorit të repartit ushtarak.

“Për ngjarjen e ndodhur në poligonin e asgjësimit të municioneve në Bigas, Skrapar, Ministria e Mbrojtjes sqaron se: rreth orës 09.15 të ditës së sotme ka ndodhur një shpërthim dhe pas verifikimit ka rezultuar se shtetasi Fatos Dyrmishi, ka humbur jetën duke nxjerrë skrap, të përfituar nga municione të mbetura që nga viti 1997 ose të mbetur gjatë asgjësimit të municioneve në këtë poligon. Sqarojmë se Grup-Depot në Bigas janë shpërthyer në ngjarjet e vitit 1997, ku krahas armatimeve dhe municioneve të tjera, ka patur edhe një depo me municione dhe armatim trofe të Luftës së Dytë Botërore”, thekson ministria.

Sipas ministrisë, poligoni i Bigasit është përdorur për asgjësim municioni që nga viti 2000, por distanca më e afërt e këtij poligoni nga qendrat e banuara është 1200 m. Ai është i kompletuar me sinjalistikën e nevojshme paralajmëruese dhe strukturat ushtarake të Brigadës Logjistike kanë zhvilluar mësime treguese, si dhe kanë informuar e sensibilizuar vazhdimisht komunitetin e kësaj zone, si dhe organet e pushtetit vendor dhe Policinë e Shtetit që operon në këtë rajon, me qëllim parandalimin dhe mos lejimin në mënyrë kategorike të çdo personi për t`u afruar dhe hyrë në rajonin ku është dislokuar ky poligon. /albeu.com/

Shtuar më 22/04/2012, ora 15:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori