Mladiqi për pak u ka shpëtuar agjentëve kosovarë
Pëlqej
Albeu.com
Krimineli më i kërkuar nga Haga ka qëndruar në Kumanovë. Shërbimi për Zbulim dhe Kundërzbulim i Kosovës (ZKZ) vitin e kaluar ka qenë para një rezultati spektakular, pasi për pak nuk arriti që ta arrestonte kriminelin serbo-boshnjak të luftës, Ratko Mladiq.Burime të “Lajmit” thonë se pjesëtarët e Shërbimit për Zbulim dhe Kundërzbulim të Kosovës (ZKZ) aksionin për arrestimin e të akuzuarit për krime lufte Ratko Mladiq e kanë realizuar gjatë shtatorit dhe tetorit të vitit të kaluar, në afërsi të Kumanovës.

Shërbimi për Zbulim dhe Kundërzbulim i Kosovës (ZKZ) vitin e kaluar ka qenë para një rezultati spektakular, pasi për pak nuk arriti që ta arrestonte kriminelin serbo-boshnjak të luftës, Ratko Mladiq. Këtë e kanë bërë të ditur për “Lajm” burime të cilat pretendojnë se janë të afërta me ZKZ-në. Këto burime thonë se rasti ka ndodhur ndërmjet shtatorit e tetorit, të vitit të kaluar, në afërsi të Kumanovës. Pjesëtarë të ZKZ-së kanë ardhur rastësisht deri te informacioni se Mladiqi qëndron në Kumanovë. Ata janë nisur në “aksion” për kapjen e Mladiqit, mirëpo me sa duket informacionet kanë mbërritur edhe te sigurimi i tij, me ç’rast ai menjëherë është tërhequr në fshatrat serbe të Kumanovës, kurse më pas e ka kaluar kufirin serbo-maqedonas, duke hyrë në territorin e Serbisë. Sipas burimeve të gazetës, aksioni ka dështuar pjesërisht për shkak të “sjelljes aventuriere” të përfaqësuesve të ZKZ-së, të cilët në aksion janë nisur pa u konsultuar me kompetentët e tyre.
“Është fat i madh që nuk kemi pësuar dëm në njerëz, sepse aksionet për arrestimin e Mladiqit janë të rrezikut më të lartë”, komenton një burim që ka dashur të mbetet anonim.
Dështimi i aksionit pjesërisht ka qenë edhe për shkak të njohjes së mirë të terrenit të Kumanovës nga sigurimi i Mladiqit. Burime kundërzbuluese thonë se Mladiqi shpeshherë ka lëvizur në Kumanovë. Ato thonë se në këtë qytet ai posedon “logjistikë” të fortë, që nga koha kur si epror i ish-APJ-së ka shërbyer në kazermën e Kumanovës.
ZKZ nga viti 2001 relativisht e ka mbuluar mirë rajonin e Kumanovës dhe të Likovës nga frika se shërbimet sekrete antishqiptare mund të shkaktonin probleme në këtë rajon, që do të kishin reflektim negativ në Kosovë. ZKZ është shërbim joformal sekret i Kosovës. Detyrë e agjentëve është pengimi i “shërbimeve sekrete antishqiptare”, që të shkaktojnë probleme në rajonet shqiptare në Maqedoni, para caktimit të statusit final të Kosovës. Tendenca të këtilla, përpos te shërbimet sekrete serbe, përfaqësuesit e ZKZ-së kanë vërejtur edhe te “shërbime sekrete miqësore me Serbinë”.

MPB: Mladiq nuk ka qëndruar në Maqedoni

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) nuk kanë informacione për ndonjë aksion të agjentëve kosovarë për arrestimin e Ratko Mladiqit në territorin e Maqedonisë. Në MPB thonë se në bazë të informacioneve të tyre, Mladiq nuk ka qëndruar në Maqedoni, pasi kundër tij është shpallur fletëarrest ndërkombëtar.
nga Isen Saliu, lajm
Shtuar më 23/02/2006, ora 11:00
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori