Mladenov-Topallit: Vendimi per vizat se shpejti
Albeu.com
Ministri i Jashtëm bullgar Nickolay Mladenov, deklaroi sot në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, se vendimi për heqjen e vizave mes Shqipërisë dhe BE-së do të merret së shpejti, bazuar në një raport pozitiv të Komisionit.
Mladenov u shpreh se në takimet edhe me komisionerët e BE-së kemi diskutuar mbi arritjet dhe hapat e Shqipërisë në plotësimin e detyrimeve për liberalizimin e vizave.

Duke u ndalur në situatën e fundit politike në Shqipëri ministri Mladenov përcolli mesazhin dhe qëndrimin se "dialogu politik duhet të bëhet brenda parlamentit dhe sipas ligjeve të vendit. Kjo është në interes të Shqipërisë".

Kryetarja Topalli e mbështeti këtë qëndrim të Mladenov, që vjen në vazhdën e deklaratave të z. Fule, sipas të cilit gjithçka duhet të bëhet në respekt të Kushtetutës, institucioneve e gjykatave, si dhe në vijim të deklaratës së Komitetit Presidencial të KiE, që i kërkoi z. Rama t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese apo Komisionit të Venecias. Kryetarja e Kuvendit e falenderoi ministrin Mladenov për firmosjen e letrës dërguar BE-së për heqjen e vizave për Shqipërinë.

"Ne vlerësojmë këtë mbështetje konkrete siç vlerësojmë gjithcka që ju, qeveria dhe parlamenti bullgar ka bërë në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe në hapat drejt BE-së", u shpreh ajo. Ministri i jashtëm bullgar Nickolay Mladenov vizitoi sot Tiranën në kuadër të një një turi rajonal në vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë takimeve me zyrtarët e lartë shqiptarë ai shprehu mbështetjen e Bullgarisë për integrimin e Shqipërisë në BE, ndërsa theksoi nevojën e dialogut politik mes palëve në parlament.
Shtuar më 14/05/2010, ora 17:35
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori