“Solidaritet me Sanna”, finlandezet publikojnë videot duke kërcyer në mbështetje të kryeministres

Pas kërcimit të kryeministres finlandeze që u bë publik ditë më parë, shumë vajza e gra në atë vend i kanë dalë në mbrojtje shefes së qeverisë.

“Solidaritet me Sanna”, është ky mbishkrimi që shoqëron videot në Twitter të grave dhe vajzave të ndryshme finlandeze teksa kërcejnë dhe argëtohen në festa me miqtë, duke demonstruar kështu solidaritetin e tyre me kryeministren Sanna Marin.

Liderja 36-vjeçare e Finlandës është në qendër të një stuhie mediatike pas dy videove që janë shfaqur ditët e fundit, njëra në të cilën ajo këndon dhe kërcen në një festë me miqtë dhe tjetra që e filmon atë në qëndrime intime me një këngëtar në një klub të njohur në Helsinki.

Ndërsa opozita kritikon kryeministren, shumë njerëz janë rreshtuar në mbrojtje të Marin dhe të drejtës së saj për t’u argëtuar siç e sheh të arsyeshme.

Eksperti i sigurisë kibernetike Petteri Järvinen, i cituar nga gazeta Iltalehti, ngriti dje mundësinë që rusët të kishin hakuar telefonin ose llogaritë sociale të dikujt që është pjesë e rrethit të ngushtë të kryeministres finlandeze. Nga ana tjetër, Marin tha se i ishte nënshtruar një testi droge, rezultatet e të cilit do të dihen brenda një jave dhe u mbrojt duke pretenduar se ajo nuk bëri gjë tjetër veçse vallëzoi, këndoi dhe kërceu me miqtë e saj.