Arrestimi i vrasësit të Nikulajt në Marok, Saraiva nuk mund të ekstradohet në Shqipëri/ Zbardhet mesazhi që erdhi nga Interpol

Detaje të reja kanë dalë në lidhje me arrestimin e vrasësit të Ardian Nikulaj, Ruben Saraiva. Shtetasi portugez u arrestua dje nga autoritetet marokene në një lokal në Marok, një vend me të cilin Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi.

Burime bëjnë me dije se Interpol Maroku ka dërguar një mesazh të hënën ndaj homologëve shqiptar, me përmbajtje: “Lidhur me shtetasin Ruben Saraiva, i cili kërkohet nga ju për vrasje, a është kërkimi i vlefshëm? Nëse po, ju lutem na vini në dispozicion praktikën. Ai është arrestuar nga ne dhe po mbahet në paraburgim”.

Praktikisht ky është edhe mesazhi që informon palën shqiptare për arrestimin e të shumëkërkuarit dhe njëherësh kërkon të dhëna për rrethanat e çështjes dhe argumentat mbi veprat penale për të cilat akuzohet nga Shqipëria.

Sa i përket marrëveshjes së ekstradimeve që mungon me këtë shtet, autoritetet përkatëse në të kaluarën kanë përdorur në disa raste parimin e reciprocitetit të ndërsjellë.

Kjo do të thotë, se ekziston varianti që Saraiva të shkëmbehet me ndonjë person të shpallur në kërkim nga autoritetet marokene dhe që mund të jetë ndaluar në Shqipëri.

Ndërkohë, ky person ka disa nga anëtarët e familjes së tij në Marok dhe me sa duket ka qenë i informuar edhe sa i përket mungesës së një marrëveshjeje ekstradimi me Shqipërinë të këtij shteti, duke e zgjedhur si vend ku do të vijonte arratinë e tij.

Ruben Saraiva ka shkuar në Marok me dokumente false. Porositës i vrasjes së Nikulajt  dyshohet të jetë Edmond Haxhia. Ai po hetohet si organizator, porositës dhe financues i krimit. Edmond Haxhia është djali i dajës së Elton Lekstakajt. Fisi Lekstakajt kishte një konflikt me Nikulajn që prej 97-ës

/albeu.com/