Mjekët e kuruan për grip, 58-vjeçari vdes pas 2 ditësh (VIDEO)
Më datë 17 janar 2017, në Urgjencën e Spitalit Rajonal në Berat ka shkuar i ndjeri Ylli Guçe, i cili kishte shtrëngime në kraharor. Mjekët e mbajtën disa orë dhe i thanë se kishte simptomat e gripit. Ai iku në shtëpi dhe, dy ditë më pas, shkon sërish në urgjencë në gjendje të rëndë, ku dhe ndërron jetë si pasojë e një ataku kardiak.

Babain tim e dënuan me vdekje”

Familjarët e të ndjerit “trokitën” në redaksinë e emisionit investigativ “Fiks Fare”. Vajza e tij, Manjola Shabani, e cila jeton në Itali, denoncoi publikisht ekipin e Urgjencës së Beratit. “Ata nuk kanë përdorur profesionalitet në kurimin e babait tim në urgjencë, duke mos i bërë analizat dhe kontrollet e duhura.

E dënuan me vdekje. Ditën e martë, më 17 janar 2017, mami im çon babin në urgjencë me mjet privat. Ai ishte pacient që vuante nga tensioni i lartë dhe kurohej me barna. Simptomat e tij në atë datë ishin shtrëngim/dhimbje në kraharor nga ana e zemrës dhe pafuqishmëri.

Mjeku kardiolog e viziton, pa e ulur as në karrige babin, pra në këmbë. Nga ‘filmi’ i zemrës vërtetohet aritmi dhe nga vizita, doktor Palush Bojaxhiu (mjek kardiolog në Berat) i thotë që ke ‘fërshëllimë në mushkri’. Doktor Palushi i thotë babit të shkojë në shtëpi se s’ka gjë është gripi! Duhet të ishin bërë hetime të mëtejshme si analiza gjaku, ekografi të zemrës dhe radiografi” thotë Manjola për “Fiks Fare”, gjatë një intervistë në “Skype”.

Më tej ngre me të drejtë pyetjen se: Si mund të dërgohet një pacient i tillë në shtëpi?! “Duke e nxjerrë nga urgjenca, doktorët më kanë vrarë babin! Ai, pacient në mënyrën më absolute, nuk duhej nxjerrë nga spitali! Në datën 19 janar, në orën 03:00 të mëngjesit, babi rëndohet me të njëjta simptoma, por me dhimbje shume herë më të mëdha dhe shkon në urgjencë.

Mami u kërkon ndihme duke bërtitur e duke u thëne: Zemra, ju lutem më ndihmoni! E ka pritur një ekip shumë neglizhent, infermierja i dha mamit kampionet, që mami ti shpinte në laboratorin e analizave! Është kulmi!

As në botën e tretë nuk ekziston një veprim i tillë! Mamibabin më vëllanë tim dhe shkon në laboratorin e analizave. Shkon doktor Palushi, kardiologu që e vizitoi babin në datë 17 janar! Edhe në ato momente, ku mjekësia funksionon, mbase do ta kishin shpëtuar” vijon Manjola.

Manjola, vajza e të ndjerit Ylli Guçe, thotë se ka kërkuar kartelën klinike të babait dhe mjeku i urgjencës e ka kërcënuar. “Kam takuar doktor Palushin, i kam thënë që ti babin tim po ta shtroje dhe ti bëjë kontrollet e duhura, do ta kisha ende gjallë!

Doktor Palushi ka pranuar që ekipi në natën e 17 janarit, nuk ka kryer detyrën e vet, është dëshmitare mami im” thotë ajo, ndërsa thekson se është ankuar edhe pranë Ministrisë së Shëndetësisë, por ende nuk ka marrë përgjigje. Në fund, kërkon që të hapen dosjet, të hetohet rasti. “Kërkoj drejtësi, të dëmshpërblehen familjarët dhe të ndëshkohen fajtorët, në shpresën që mund të shpëtohen të tjera jete!” përfundon ajo.



Spitali Berat: S’po hetojmë, s’kemi ankesë me shkrim

Fiksi u interesua edhe në drejtorinë e Spitalit të Beratit. Pas shumë “negociatash”, para kamerës foli Muharrem Thuqi, shefi i Burimeve Njerëzore. Drejtori ishte për “vizitë” në Tiranë, shefi u Urgjencës nuk pranoi të intervistohej, ashtu si edhe nëndrejtoresha teknike.

Megjithatë, z.Thuqi tha se “për rastin në fjalë jam vënë në dijeni. Ne nuk kemi filluar një verifikim të ngjarjes në fjalë, pasi në administratën e Spitalit të Beratit nuk ka asnjë ankesë me shkrim nga familjarët. Unë pyeta në sekretari dhe më thanë se nuk kemi ankesë”. Gazetarët e pyesin se familjarët kanë shkuar disa herë në urgjencë, ku madje janë kërcënuar nga mjekët.

“Ne veprojmë me ankesa, duhet të ketë një ankesë, e protokollojmë dhe fillojmë verifikimin. Pyeten mjekët bëhet një hetim i rastit” thotë Thuqi. Pyetjes se, përse spitali nuk iu servir familjarëve kartelën, ai thotë se “kartelën ia japim prokurorisë, policisë dhe avokatëve. Duhet të vijë avokati dhe ia japim kartelën. Në momentin që do të ketë ankesë do të fillojmë edhe verifikimin, nga cilido familjar”./Albeu.com/
Shtuar më 08/02/2017, ora 20:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori