Mjekët kundërshtojnë testimin: Ide qesharake!
Lidhur me performancën e bluzave të bardha, e cila do të pasqyrohet qartë edhe me anë të testimit, një kundërpërgjigje vjen nga mjekët të cilët janë shprehur kundër. Sipas tyre, kjo ide është mjaft qesharake, duke vënë në pikëpyetje kështu profesionin e tyre.

Mjekët të cilët kanë dalë kundër nismës së Ministrisë së Shëndetësisë, thonë se nuk kanë ndërmend t’i nënshtrohen këtij testi.

Për shefin e Shërbimit të Onkologjisë në QSUT, Agim Sallaku, testimi mund të bëhet edhe nëpërmjet krediteve të fituara në vite. Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë duhet të ishte konsultuar para se të ndërmerrte këtë vendim, pasi ka metoda të tjera që mund të aplikohen për të matur performancën e bluzave të bardha.

“Do të ishte e udhës të rishikohet programi i certifikimit të mjekëve, Ministria mund të ndryshojë afatin. P.sh. nëse aktualisht në pesë vite duhet të fitohen 150 kredite, ky prag mund të bëhet edhe dy vite, me një numër të caktuar kreditesh”, ka deklaruar Sallaku për “Panorama”.

Kundër këtij provimi u shpreh edhe shefja e pavjonit të hematologjisë, Tatjana Caja. Shefi i Shërbimit të Nefrologjisë, Nestor Thereska, gjithashtu tha se nuk e mbështet këtë iniciativë, pasi nuk është e drejtë të testohen mjekë dhe infermierë që kanë mbi 20 apo 30 vite që ushtrojnë profesionin. /albeu.com/
Shtuar më 14/01/2015, ora 11:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori