Mjaft folët për liberalizimin e vizave, populli ka kohë që nuk ju beson
Koment nga Ervin Shkulaku

Po kalojnë vitë të tëra që ministrat e PDK-së me liderët e tyre e që tashmë ka filluar edhe Ramush Haradinaj që japin data për liberalizimin e vizave. Kjo traditë filloi që në kohën kur ministër ishte Bekim Çollaku dhe madje politikanët edhe kanë festuar me pije liberalizimin e shumëpritur.

Por, popullin mund ta nënshtrosh por nuk do të thotë se nuk është i zgjuar. Populli asnjëherë nuk u besoi fjalëve të këtyre politikanëve e kjo u duk qartë në disa thirrje për protesta që të kalonte demarkacioni se do liberalizoheshin vizat, protesta këto që morën pjesë vetëm disa persona që numëroheshin me gishta.

E megjithatë populli duroi dhe e pranoi kalimin e demarkacionit por ishte i vetëdijshëm që nuk ka liberalizim të vizave por ishte vetëm një marrëveshje që duhet të kalonte pasi e kishte nënshkruar njëriu i marrëveshjeve, Hashim Thaçi.

E pas kalimit të demarkacionit doli Raporti i Progesit në të cilin theksohet se korrupsioni është pengues për integrimin e Kosovës në BE. Pra në vend ka korrupsion që është kushti themelor për liberalizimin e vizave.

E sot në Prishtinë erdhi një vizitor i rëndësishëm nga Bashkimi Evropian, ishte Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk. Ai në fjalën e tij dha dy urime. Fillimisht e uroi Kosovën, e përgëzoi që e kaloi demarkacionin e ndërsa në urimin e dytë po pritej diçka për liberalizimin, ai uroi ditëlindjen e Hashim Thaçit.

Pra, asgjë konkrete për vizat pasi duhet luftuar korrupsioni. Po kush ta luftojë kurropsionin? Kush do të jetë ajo parti që do t'i ndalë punësimet partiake? Vështirë se ka përgjigje kjo pyetje.

Prandaj në këtë situatë duke përfituar edhe nga liderët që japin data për liberalizim, vizat vështirë se mund të hiqen deri në qershorin e vitit e ardhshëm dhe në rast se zgjedhjet ne BE ndikojnë në këtë proces atëherë s'ka liberalizim deri në vitin 2020.

Dikush mund ta fajësojë BE-në për këtë situatë por jo, s'ka faj BE pasi luftimi i korrupsionit është për të mirën e Kosovës.

Kush beson sot në Kosovë se vendet e punës që hapen në institucione nuk janë të porositura për partiakë?

E pra kur të rikthehet ky besim atëherë mund të themi se ka filluar luftimi i korrupsionit./albeu.com/
Shtuar më 26/04/2018, ora 16:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori