Mitrovice: Nje i vdekur, 11 te lenduar
Albeu.com
Nga Mitrovica sapo arriti lajmi se mjeku Mensur Gjekoviq vdiq nga pasojat e plagëve të marra në shpërthimin e sotshëm, që ndodhi gjatë protestave serbe në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.Njoftimet nga ky qytet bëjnë të ditur edhe për së paku 10 persona të tjerë të plagosur, si pasojë e një shpërthimi që ndodhi në mes të rreth njëmijë protestuesve serbë, njofton korrespondenti i Koha.net nga vendi i ngjarjes.
Të plagosurit janë: Zoran Rakiq, Verica Rakiq, Bogdan Vuçiniq, Gradimir Iliq, Vesna Kuc, Vesna Paviqeviq, Lubinko Gjorgjeviuq, Aleksander Dorgjeviq, Ljubinko Vuçiniq dhe Verica Jovanoviq.

Çdo gjë ka filluar pas alarmit me sirena, një thirrje tashmë e vendosur ndër serbë të pjesës veriore për të protestuar pasivisht. Serbët kishin filluar një protestë sot pas orës nëntë, kundër hapjes së zyrës për regjistrim civil të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, në Lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicë. Por, derisa po zhvillohej protesta, në mes të pjesëmarrësve, rreth një mijë sish, ndodhi një shpërthim, nga i cili pësuan katër persona, njëri nga të cilët e ka jetën në rrezik. Bëhej fjalë për mjekun pediatër Mensur Gjekoviq, për shpëtimin e të cilit bënë përpjekje mjekët e Spitalit në pjesën veriore të qytetit.
Supozohet se shpërthimi ka ndodhur në ndonjë pusetë, prandaj ka pasur më pak viktima. Mirëpo, zyrtarisht ende nuk ka informacione të konfirmuara.
Vendi ku ndodhi shpërthimi është afër Shkollës së Mesme Teknike.
Ndërkohë për këto zhvillime ka njoftuar edhe agjencia serbe e lajmeve, B92., e cila po ashtu raporton për protestën dhe shpërthimin e ndodhur. Agjencia thotë se serbët po protestonin kundër qëllimeve të autoriteteve kosovare për të hapur në Lagjen e Boshnjakëve zyrën për dhënien e dokumenteve civile.
Lagjja e Boshnjakëve vazhdon të jetë multietnike në pjesën veriore të Mitrovicës.
Në urën lindore, që ndanë qytetin në dy pjesë, janë të stacionuara forca të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës. Raportohet se aktualisht situata është qetësuar.
Ndërkohë nga Mitrovica njoftohet se Spitali në pjesën veriore të qytetit ka kërkuar gjak për nevoja urgjente. Ende nuk dihen autorët e këtij akti. Zyra po ruhet nga EULEX-i. (koha)
Shtuar më 02/07/2010, ora 15:23
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori