Misioni EULEX – të gjithë në pritje të New Yorkut...
Pëlqej
Albeu.com
Drejtuesit e institucioneve të Kosovës janë takuar të dielën në mbrëmje me diplomatët e Grupit të Kontaktit në Prishtinë, për të diskutuar për shtrirjen e misionit EULEX në Kosovë.Drejtuesit e institucioneve të Kosovës janë takuar të dielën në mbrëmje me diplomatët e Grupit të Kontaktit në Prishtinë, për të diskutuar për shtrirjen e misionit EULEX në Kosovë. Mbajtja e këtij takimi është konfirmuar, mirëpo nuk janë dhënë detaje të tjera. Ndërkohë është raportuar se në mbledhjen e KS të KB-së, sekretari Ban Ki-Moon do të potencojë “përparimin” e arritur në mes të UNMIK-ut dhe Beogradit...

Grupin e Kontaktit e përbëjnë SHBA-të, Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia – ndërsa raportohet se ky takim është mbajtur pa përfaqësuesin rus.

Takimi i liderëve kosovarë me përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit vetëm sa shton edhe më shumë “thashethemet” që së fundi janë paraqitur në media për shtrirjen dhe funksionalizimin e misionit EULEX në Kosovë.

Nga njëra anë është raportuar se BE-ja është e gatshme të miratojë kushtet kryesore të Beogradit për vendosjen e EULEX-it në Kosovë – që ai të miratohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të mbetet neutral në raport me statusin e Kosovës dhe të mos i referohet planit të Martti Ahtisaarit, ndërsa nga ana tjetër, raportohet se pala kosovare ka përjashtuar çdo mundësi që EULEX-i të jetë neutral ndaj statusit të Kosovës.

Sidoqoftë, shumëçka pritet të sqarohet të martën kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutojë për Kosovën dhe kur pritet raporti i sekretarit të përgjithshëm të kësaj organizate, Ban Ki-Moon.

Çka propozon sekretari Ban Ki-Moon?

Të dielën, televizioni KTV, duke u thirrur në burimet e veta diplomatike ka raportuar se sekretari Ban në raportin e tij, do të potencojë përparimin e arritur në mes të UNMIK-ut dhe Beogradit për gjashtë pikat e propozuara, sikur dhe vazhdimin e bisedimeve për këto çështje.

Sipas këtyre burimeve, sekretari Ban do të potencojë se këto aranzhmane do të jenë në fuqi deri në vendosjen e mekanizmave të tjerë – duke aluduar kështu në vendosjen e misionit EULEX.

Marrëveshja në mes të UNMIK-ut, OKB-së dhe qeverisë së Serbisë, sipas këtyre burimeve, parasheh formimin e stacioneve dhe nënstacioneve të reja të policisë, në zonat e banuara me shumicë serbe, raporton ky televizion.

Ndërkaq sa i përket doganave, parashihet puna e përbashkët në mes të doganierëve ndërkombëtarë dhe atyre serbë në vendkalimet kufitare 1 dhe 31 (GATE 1 and 31) në komunat Zubin Potok dhe Leposaviq. Sipas këtyre burimeve, mbetet të përcaktohet se si do të shpërndahen të hyrat nga këto dy vendkalime kufitare.

Në pritje të lajmit nga New Yorku!

Sidoqoftë, drejt New Yorkut të dielën është nisur edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, i cili do të jetë i pranishëm në mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurimit.

Formati i mbledhjes së 11 nëntorit ende nuk është bërë publik, ashtu sikurse nuk dihet ende nëse përpos raportit të UNMIK-ut për Kosovën, do të ketë apo jo fjalë të tjera, ka njoftuar Zyra për informim e MPJ-së.

Nëse formati zyrtar i mbledhjes e lejon këtë, sipas MPJ-së, ministri Hyseni është i gatshëm të marrë fjalën në këtë mbledhje.

Njëkohësisht, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit do të marrë pjesë edhe Ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiq. Ditë më parë ai ka thënë se Serbia nuk do të përkrahë raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, nëse ai raport nuk ngërthen të gjitha kushtet që i ka kërkuar Serbia për vendosjen e misionit EULEX.

“Haber” prej New Yorku duket se po pret edhe Bashkimi Evropian. Në një deklaratë zyrtare të lëshuar për opinion, është bërë e ditur se në takimin e sotëm të Këshillit të Ministrave të BE-së, do të përshëndet përgatitja që po bëhet për misionin EULEX, përfshirë dhe vendosjen e tanishme të pjesëtarëve të këtij misioni, në mënyrë që t’i mundësohet fillimi i punës në dhjetor të këtij viti.

Megjithatë, bëhet e ditur se në takimin ministror nuk do të diskutohet për Kosovën e as për EULEX-in.

Dhe derisa pritet rezultati nga New Yorku, pritet që liderët kosovarë të zhvillojnë sot edhe një takim me Grupin e Kontaktit në Prishtinë. (Telegrafi)
Shtuar më 10/11/2008, ora 14:28
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori