Presidenti i Interit shpërthen ndaj Dal Pino: Ju jeni palaço më i madh që kam parë ndonjëherë

Lufta sapo ka nisur. Pas deklaratave të Beppe Marottës të mbështetura edhe nga trajnerë si Gattuso apo Liverani për një kampionat të falsifikuar, kanë ardhur edhe deklaratat e bujshme në Instagram të presidentit të Interit Steven Zhang i cili ka sulmuar hapur presidentin e ligës së futbollit Paolo Dal Pino për vendimin e këtij të fundit lidhur me shtyrjen e ndeshjes Juventus-Inter. Zhang e ka quajtur një palaço numrin 1 të ligës së futbollit, duke bërë një zhurmë të madhe mediatike në Itali.

“Të luash me kalendarin dhe me shëndetin e njerëzve është e pafalshme. Je palaçoja më i madh që kam parë deri më sot. 24, 48 orë, 7 ditë, po tani çfarë tjetër? Cila është lëvizja jote e radhës”, e nis komentin e tij në “Instagram” Zhang. “Dhe ti pra na flet për sportivitet, për kampionat të rregullt.

Ç’më thua për faktin që nuk arrijmë t’i mbrojmë lojtarët dhe trajnerët tanë që duhet të luajnë brenda 24 orësh në ditë dhe 7 ditë në javë?! Po të flas ty, presidentit të Ligës. Duhet të të vijë turp. Ka ardhur koha që të ngrihesh dhe të marrësh përgjegjësitë e tua. Kështu veprohet në vitin 2020. Ky është një argument për çokënd në botë, pak rëndësi ka nëse është tifoz i Interit apo i Juventusit. Është gjëja më e rëndësishme për ne, për familjen tona, për klubin tonë”.


Shtuar 3.03.2020 09:21