Mirel: Gjyqesia te jete e lire nga nderhyrjet politike
Albeu.com
Ka filluar sot në Prishtinë takimi i Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit , në të cilin po marrin pjesë, pos liderëve të institucioneve të Republikës së Kosovës, edhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, ndër ta edhe ...... drejtori për Zgjerim i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Pier Mirel, i cili gjatë fjalës së tij në Prishtinë, shprehu gatishmërinë e BE-së për të filluar dialogun e vizave sapo kushtet të përmbushen për të.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke hapur këtë zhvillim të rëndësishëm për aspiratat evropiane të vendit, ka rikujtuar se ky është takimi i parë i Dialogut të Procesit të Stabilizim Asociimi, që rrumbullakon një varg takimesh sektoriale në fushat e ndryshme të zhvilluara ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Komisionit Evropian gjatë 6 muajve të kaluar.
Intensifikimi i dialogut politik dhe teknik me Komisionin Evropian, i cili po ndodh këto ditë, kontribuon në mënyrë përmbajtjesore në avancimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Kryeministri Thaçi falënderuar Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Deskun e Kosovës në Drejtoratin e Zgjerimit në Bruksel dhe personalisht z. Pier Mierrel për punën që ka hapur derën për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, siç është shprehur ai. Sipas tij, gjatë periudhës së kaluar “janë përmbushur shumë kritere dhe rekomandime, ndërsa puna e jonë është e pandalshme”.
Në vazhdim kryeministri Thaçi theksoi se nga takimi i fundit, i mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar, Kosova ka kaluar nëpër një periudhë shumë të rëndësishme dhe intensive për vendin dhe rajonin. Njohja e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran ka vazhduar në mënyre të kënaqshme. Këto njohje do të rriten pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ai ka ripërsëritur shpresën se “pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, do ta bëjnë këtë dhe të njohin realitetin e ri në Ballkanin Perëndimor’.
Sundimin e ligjit, luftën kundër-korrupsionit dhe krimit të organizuar kryeministri i ka përmendur si prioritet të tij kryesor dhe të qeverisë që drejton.
“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është e vështirë dhe plotë sfida, veçanërisht për shtetet në tranzicion, por unë deklaroj se nuk ka kthim mbrapa asnjë milimetër në këtë betejë, ndërsa Qeveria mbetet e palëkundur në këtë drejtim”, është shprehur ai, duke shtuar se kjo luftë nuk behët vetëm për hir të procesit të integrimit, por për hir të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe mirëqenies së tyre. Ne jemi duke punuar intensivisht që të kompletojmë kornizën ligjore në fushën e luftës kundër korrupsionit, kemi themeluar Task Forcën për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka thënë ai.
Bashkëpunimin me EULEX-in e ka cilësuar “në nivel shumë të lartë”. Ai ka përmendur edhe hapat e ndërmarrë drejt përsosjes së prokurimit publik. Sipas kryeministrit të Kosovës, edhe reforma e Administratës Publike përbën një prioritet kyç të Qeverisë.
Zgjerimi i dialogut dhe pajtimit mes komuniteteve ka shënuar një progres të theksuar, i cili është ilustruar me anë të pjesëmarrjes së komunitetit serb në zgjedhjet lokale të organizuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.
“Krijimi i komunave të reja me shumicë serbe është edhe një dëshmi që Qeveria e Republikës së Kosovës është absolutisht e përkushtuar për krijimin e kushteve sa më të mira për të gjitha komunitete që jetojnë në Republikën e Kosovës”, ka thënë Hashim Thaçi.

Reforma e sistemit gjyqësor është një nga parakushtet për të siguruar një sistem efektiv të sundimit të ligjit. Ne kemi shfaqur përkushtimin tonë edhe lidhur me të drejtat e njeriut dhe, në veçanti, për të avancuar pozitën e minoriteteve në Kosovë në pajtim me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Duke raportuar për zhvillimet në ekonomi, kryeministri përmendi investimet publike kapitale, përmirësimin e infrastrukturës dhe të kushteve të tjera, të cilat, sipas tij, do të ndikojnë në performansën më të mirë makroekonomike: uljen e bilancit negativ tregtar, rritjen e prodhimtarisë vendore dhe ngritjen e investimeve huaja.
“Reformat e vazhdueshme lidhur me menaxhimin e parasë publike dhe krijimi i kushteve të favorshme për investime të huaja do t'i mundësojnë Kosovës një ekonomi të qëndrueshme, një ekonomi konkurruese evropiane”, ka thënë Thaçi, duke përmendur në këtë kontekst privatizimin e aseteve publike. “Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur të privatizojë Post-Telekomunikacionin e Kosovës, koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re", që sipas tij
do të jenë shtytje më e madhe ekonomike për vendin.
Kryeministri Thaçi ka ritheksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për procesin e integrimeve Euro-Atlantike vendit, si qëllim kryesor strategjik. “Ne jemi të përkushtuar që të përqafojmë vlerat evropiane dhe të garantojmë paqen dhe sigurinë në rajon, si dhe të thellojmë bashkëpunimin me fqinjët rajonalë”, ka thënë ai. Me këtë vështrim ka përmendur Planin e Veprimit për Partneritet Evropian 2010. “Ne e kuptojmë që agjenda e BE-së është agjenda jonë kombëtare dhe ne kemi marrë hapa konkretë për të integruar Planin Kosovar të Veprimit për Partneritet Evropian në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës dhe Planin e Qeverisë”, pohoi kryeministri.
“Duke marr parasysh progresin e arritur dhe rëndësinë e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës presim së shpejti udhërrëfyesin zyrtar për liberalizimin e vizave. Fillimi i dialogut zyrtar do të mundësojë që Kosova së shpejti të hyjë në Shengenin e Bardhe, proces i cili do t'i lehtësojë qytetarëve tanë që të udhëtojnë pa kufizime në vendet e BE-së”, tha ai në fund, duke i bërë ftesë Komisionit Evropian të bëjë “vlerësimet e nevojshme për inicimin e këtij procesi”.

Drejtori për Zgjerim i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Pier Mirel, shprehu gatishmërinë e BE-së për të filluar dialogun e vizave sapo kushtet të përmbushen për të .Më tutje Mirel pasi ka pranuar të arriturat e theksuara nga kryeministri, ka theksuar nevojën e intensifikimit të miratimit të kornizës ligjore, pasi Raporti i Progresit i merr në konsiderim vetëm ligjet dhe strategjitë e miratuara. Mirel ka përmendur edhe fushat ku duhet të arrihet progres.

“Gjyqësia duhet të fuqizohet dhe duhet të jetë e lirë nga ndërhyrja politike. Duhet të ketë më tepër punë dhe aktivitete në luftën e krimit të organizuar. Ju e theksuat se kjo është shumë e rëndësishme për qeverinë tuaj dhe ne e çmojmë këtë përkushtim të fuqishëm që të vazhdojë të përmirësojë sundimin e ligjit”, tha Mirel.

Mirel tha se pos miratimit të kornizës ligjore është e rëndësishme që të fillohet me zbatimin e ligjit. (koha)
Shtuar më 06/07/2010, ora 14:43
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori