Miratohet agjencia e legalizimeve
Albeu.com
Shaban Memia do të marrë kryesimin e njësisë që do të merret me zonat informale në vend. De Soto dhe ekspertët shqiptarë do të miratojnë aktet nënligjore.Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje nisjen e procedurave për aktet nënligjore, që do të shërbejnë për zbatimin e ligjit për legalizimin e ndërtimeve të paligjshme. Sipas kreut të qeverisë, Agjencia do të ketë fuqi ekzekutive, që do të thotë dhe rolin kryesor në ndjekjen e të gjitha procedurave. "Ngritja e Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të ndërtimeve ekstralegale, zonave ekstraligjore dhe zonave informale, do të ketë të gjithë fuqinë ekzekutive për të realizuar një nga aspektet më thelbësore të reformës së pronësisë, si një nga kushtet më vendimtare për një zgjerim të madh të hapësirës së tregut të lirë në Shqipëri, procesin e legalizimit", deklaroi Kryeministri Sali Berisha. Ndërsa mësohet se ish-deputeti i Partisë Demokratike, Shaban Memia, do të marrë kryesimin e Agjencisë, ndërsa do të mbështetet nga një staf specialistësh.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Berisha vlerësoi se, "me ngritjen e kësaj agjencie, Qeveria shënon hapin e dytë të madh për procesin e legalizimit, si një nga aspektet më themelore për rivendosjen e shtetit ligjor".

Përgatitjet

Të gjitha aktet dhe urdhëresat do të përgatiten në bashkëpunim mes njësisë së legalizimeve si dhe institutit të drejtuar prej peruanit Hernando de Soto. "Një seri vendimesh dhe udhëzimesh të tjera po përgatiten në bashkëpunim me ekipin e zotit Hernando de Soto, ekip i cili do të instalohet në Shqipëri në mbështetje të fuqishme të qeverisë dhe përpjekjeve të saj për ta kompletuar këtë proces me transparencë, kompetencë dhe në njësi kohe sa më shpejt të jetë e mundur", deklaroi Kryeministri Berisha. Mësohet se fillimisht do të hartohet rregullorja për mënyrën se si do të plotësohen dokumentet nga qytetarët, pra ku mund t’ marrin ekzaktësisht dhe sa do t’u kushtojnë dhe më pas do të punohet për administrimin e të gjitha të dhënave. Për këtë do të shërbejë dhe eksperienca e vendeve të tjera, që e kanë kaluar një herë këtë procedurë.

Afatet

Sipas ligjit për legalizimin e ndërtimeve të paligjshme, Këshilli i Ministrave si dhe Ministria e Transporteve do të paraqesin brenda dy muajve aktet nënligjore për zbatimin e legalizimit të urbanizimit të zonave informale. Pas kësaj do të nisë vetëdeklarimi i ndërtimeve të paligjshme. Vetë deklarimi do të zgjasë katër muaj. Ndërsa punonjësit e urbanistikës do të bëjnë verifikimin, duke ia kaluar më pas çështjen këshillave të qarqeve.
BRAHIM SHIMA, Metropol
Shtuar më 19/05/2006, ora 08:25
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori