Minoritetit grek në Shqipëri i rikthehet pensioni nga Greqia
Minoriteti grek që jetojnë në Shqipëri do të marrë sërish pensionet nga Greqia, pasi Qeveria e Athinës ka vendosur të ndryshojë ligjin për pensionet, që jepen nga Instituti i sigurimeve OGA.

Nga OGA përfitojnë rreth 40 000 të moshuar, të cilët me ligjin e ri, që nga viti 2012 nuk e marrin më pensionin prej 360 eurosh. 17 000 e të cilëve janë të minoritetit grek të Shqipërisë ndërsa pjesa tjetër, të riatdhesuar nga Rusia.

Nga heqja e pensioneve për 40 000 persona, vetëm në vitin 2013 u përfitua një tepricë prej 230 milionë eurosh, të cilat u përdorën nga qeveria për të përballuar krizën që kishte përfshirë Greqinë.

Ministria greke e Punës ka lehtësuar kriteret për dhënien e pensioneve. Ato do të merren nga të moshuarit mbi 67 vjeç dhe ndër të tjera ka zbritur në 10 vjet, kohën e nevojshme të qëndrimit në Greqi.

Me lehtësimin e kritereve përfitojnë rreth 22 000 persona por nuk bëhet e ditur shifra e saktë e minoritarëve grekë të Shqipërisë që përfitojnë rikthimin e pensionit.

Për të kufizuar shpenzimet, pensionet do të jepen gradualisht dhe do të kompensohet shuma e parave që përfituesi mund të marrë nga vendi i tij.

Pensioni do të jetë rreth shumës 214 euro këtë vit, 288 euro në vitet 2015-2016, për të arritur deri në 360 euro. Nëse përfituesi merr një pension, 55 € nga Shqipëria, shuma do t’i zbritet nga pensioni i OGA .

Sipas udhëzimeve të OGA, deri në fund të shkurtit të moshuarit duhet të kenë mbyllur librezat e tyre të shëndetit. /albeu.com/
Shtuar më 13/02/2014, ora 14:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori