Ministrja Kumbaro në takimin rajonal në Dubrovnik
Pëlqej
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro viziton Dubrovnikun për të marrë pjesë në takimin rajonal mes Ministrave të Kulturës së Kroacisë, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi.

Pritet një takim dypalësh i Ministres së Republikës së Kroacisë, Andrea Zlatar Violic dhe Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, në lidhje me bashkëpunimin e ardhshëm në fushën e kulturës dhe trashëgimisë mes dy vendeve.
Në takimin, i cili do të zhvillohet ditën e hënë, datë 25 gusht 2014, pritet të diskutohen tema të rëndësishme si: Edukimi përmes artit dhe kulturës, politikat kulturore dhe praktikat zbatuese në Kroaci. Temë e rëndësishme e bisedimeve do të jetë dhe bashkëpunimi në fushën e trashëgimisë kulturore, një nismë për të eksploruar mundësitë për organizimin e seminareve dhe trajnimeve të rregullta drejtuar specialistëve shqiptarë për restaurimin; Bashkëpunime në fushën e trashëgimisë për ekspertizë në menaxhimin e siteve historike ; Bashkëpunime në fushën e menaxhimit të ngjarjeve artistike multikulturore, etj. Një temë e rëndësishme e takimit do të jetë bashkëpunimi dypalësh për të përmirësuar dhe forcuar partneritetin shqiptaro -kroat për aplikimet në programin e Evropës Krijuese.

Ministrja Kumbaro do të zhvillojë edhe takime të tjera të rëndësishme dhe të vlefshme për forcimin e bashkëpunimeve të ardhshme në fushën e kulturës, si takimi me ministrin e Punëve Civile të Republikës së Bosnjë-Hercegovinës Sredoje Novic, ambasadorin e Malit të Zi në Serbi, Branislav Mićunovic.

Pjesë e axhendës së Ministres Kumbaro do të jetë edhe takimi me kryetarin e bashkisë së Dubrovnikut, Andro Vlahusic dhe konferenca për shtyp, ditën e hënë, datë 25 gusht.

Programi i vizitës së ministres Kumbaro parashikon pjesëmarrjen në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Orlando” dhe koncertit përmbyllës në Festivalin Veror të Dubrovnikut, një bashkëpunim i Orkestrës së Dubrovnikut me Orkestrën Filarmonike të Zagrebit, nën drejtimin e dirigjentit Ivo Lipanovic, me pjesëmarrjen e baritonit Zeljko Lučić dhe sopranos Lana Kos.

Ministrja Kumbaro së bashku me homologen e saj Andrea Zlatar Violic do të vizitojnë një sërë institucione të rëndësishme të kulturës dhe trashëgimisë kroate si : qendrën e konservimit në Dubrovnik, qendrën historike në Cavtat, Galerinë Stradun, shtëpinë e piktorit të njohur kroat, Vlaho Bukovac, etj.
Shtuar më 25/08/2014, ora 16:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori