Ministrja Denaj në Berat me lugën bosh të propagandës
Nga Namir Lapardhaja

Ministrja e Financës dhe e Ekonomisë, znj. Anila Dënaj, ka zhvilluar sot një vizitë në Bashkinë e Beratit dhe nuk ka folur asnjë fjalë se cilat janë projektet e qeverisë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të këtij qyteti, për t’i nxjerr nga varfëria dhe për të përmirësuar jetën e tyre.

Sipas njoftimit që zyra e shtypit të ministres ka nxjerr, në takim është diskutuar për sektorët prioritarë, për punësimin dhe për arsimin profesional, mirëpo nuk bëhet e ditur se cilët janë sektorët prioritar që qeveria shqiptare ka për bashkinë Berat. Cilat janë projektet e qeverisë për qarkun e Beratit? Cili është programi i qeverisë për punësimin? A i është përmbajtur qeveria premtimeve të fushatës zgjedhore të vitit 2017? Cilat janë lehtësitë fiskale për bizneset që ushtrojnë aktivitetin në Berat, në mënyrë që të përmirësojnë vetveten dhe të gjenerojnë vende të reja pune?

Çfarë lidhjeje ka Ministria e Ekonomisë dhe e Financave me arsimin profesional? Në të gjithë vendet e rajonit dhe të Evropës ky arsim varet nga Ministria e Arsimit, e cila, nëpërmjet politikave të saj, bën të mundur suksesin e këtij arsimimi, aq të domosdoshëm në ditët e sotme, kurse në Berat të dyja shkollat profesionale janë në kufijtë e mbijetesës, për shkak të keqmenaxhimin dhe të politikave të gabuara qeveritare, siç është edhe kjo e varësisë nga Ministria e Ekonomisë.


Zonja ministre ka folur edhe për investimet në funksion të shërbimeve për qytetarët dhe turistët, ndërkohë që nuk ka konkretizuar asnjë investim të ri për qytetin.

Projektet dhe investimet aktuale janë në vazhdimësi dhe asnjë prej tyre nuk është i ri. Për të mos folur që në drejtim të turizmit, nuk është bërë asgjë. Qeveria nuk i pagoi këtij sektori pagën e luftës.

Pavarësisht mbylljes së përgjithshme, taksat iu morën të plota, tatimet vijuan aplikimin e gjobave të majme, OSSHE u tregua e pamëshirshme, duke u prerë bizneseve energjinë elektrike, në një kohë që puna ka qenë zero dhe qytetarëve u është dashur të marrin borxh për të shlyer detyrimet.

Pa harruar pa përmendur Aktin Normativ që ndalon muzikën në lokale pas orës 20:00 me arsyetimin që ahengu është ekskluzivitet qeveritar. Në të njëjtën kohë, pushteti vendor ka rritur të gjitha tarifat vendore disafish më lart se ç’i ka gjetur nga paraardhësit.

E gjithë panorama e klimës ekonomike në Berat, është e zymtë. Ajo është e errët për shkak të papërgjegjshmërisë së kësaj qeverie, e cila në 7 vite i gënjeu beratasit me premtimin për të ngrënë me lugë floriri dhe po u ofron vetem lugën bosh të propagandës.
Shtuar më 20/07/2020, ora 17:42

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori