Përvëloi me vetëdije vajzën e saj 4-vjeçare dhe nuk e çoi në spital derisa vdiq, burg përjetë për shqiptaren në Gjermani

Gjykata e Landit në Verden (Saksonia e Ulët) në Gjermani, ka dënuar me burg përjetë 25-vjeçaren me origjinë shqiptare, e cila në gusht të vitit 2022, ka përvëluar qëllimisht me ujë të nxehtë vajzën e saj 4 vjeçare. Pas ngjarjes, ajo nuk e dërgoi vajzën në spital, kështu, 12 ditë më vonë, e mitra ndërroi jetë për shkak të plagëve në trup të shkaktuara nga djegia.

Meqenëse kishte supozuar se fëmija nuk kishte sigurim shëndetësor, ajo nuk e kishte trajtuar atë te mjeku dhe kishte frikë se duhej të përballonte shpenzimet

E reja me origjinë nga Kosova, e lindur në Gjermani, e ka trajtuar fëmijën “krejtësisht në mënyrë joadekuate”, duke e lyer me pomadë dhe fasha. Edhe pasi nëna e tre fëmijëve e kishte kuptuar se 4-vjeçarja po përkeqësohej gjithnjë e më shumë, ajo “e kishte lënë atë në fatin e saj” dhe më në fund ka pranuar edhe mundësinë për vdekjen e saj.

Vajza ka vdekur 12 ditë pas djegies. Në atë kohë, një e treta e lëkurës ishte e nxirë, ka thënë kryetari i trupit gjykues. Fëmija ka vuajtur në mënyrë “të pabesueshme”.

Gjatë gjykimit, e pandehura ka thënë se e ka kuptuar shumë vonë që uji ishte shumë i nxehtë. Gjithashtu ajo ka pretenduar se plagët janë shkaktuar nga vetë vajza. Gjykata nuk e beson këtë pretendim, sepse ashpërsia e plagëve duhet ta ketë bërë të qartë se çfarë mundimi ka pësuar fëmija.


Shtuar 27.06.2023 10:34