Sa ushtarë shqiptarë ndodhen me misione jashtë vendit
Ditën e sotme, në një mision për demontimin e minave në Letoni, humbi jetën 32 vjeçarja Zarife Hasanaj dhe mbeten te plagosur dy efektive te tjerë.

Ministria e Mbrojtjes raporton se 214 efektivë të Forcave të Armatosura nga Shqipëria aktualisht gjenden në misione jashtë vendit.

Ministria e Mbrojtjes raporton se në kuadër të angazhimeve politike të Republikës së Shqipërisë, në luftën kundër terrorizmit, Forcat e Armatosura janë angazhuar dhe marrin pjesë aktive në operacione ndërkombëtare, në misione të ndryshme jashtë vendit, si pjesë e pandarë e operacioneve të drejtuara nga NATO, BE, OKB dhe koalicionet e përbashkëta të partnerëve tanë strategjike.

Letoni

Duke filluar nga qershori i viti 2017, FARSH janë angazhuar me një togë EOD, (Explosive Ordance Disposal) si pjesë e grup – batalionit kanadez të Prezencës së Përparuar të Përforcuar të NATO (eFP, enhanced Forëard Presence) në Letoni. Kontingjentet shqiptare në këtë grup-batalion përbëhen nga 18-23 ushtarakë, të cilët ndërrohen çdo 6 muaj.

Që prej qershorit të vitit 2017, në grup-batalionin e NATO-s në Letoni, kanë shërbyer 4 kontingjente shqiptare, ndërkohë që kontingjenti aktual është nisur në dhjetor të vitit 2018 për të shërbyer përreth 6 muaj.

Afganistan

Që prej vitit 2002, Forcat e Armatosura shërbejnë edhe në misionet e NATO-s në Afganistan.
Aktualisht, kontingjentet shqiptare shërbejnë në misionin Resolute Support dhe janë të dislokuar në Kabul dhe Herat. Gjithashtu, ushtarakët shqiptarë shërbejnë edhe në shtabe të ndryshme në Kabul, Herat dhe Mazar-e-Sharif.

Deti Egje

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë të angazhuara në operacionin ushtarak të NATO “Sea Guardian”, në nëntor 2016, në detin Egje me 1 anije e klasit “Iliria” dhe një ekuipazh prej 21 ushtarakësh.

Misioni, është kryerja e patrullimit detar në përbërje të grupit të gatshëm të anijeve të NATO, Standing NATO Maritime Group 2 (SNMG2), në detin Egje, në kuadër të operacionit të NATO.

Kosovë

Që prej anëtarësimit të Shqipërisë në NATO 10 vjet më parë, trupat shqiptarë shërbejnë në KFOR, në operacionin e drejtuar nga Aleanca në Kosovë.

Ushtarakët shqiptarë në Kosovë shërbejnë në shtabin KFOR, ndërkohë që është i angazhuar edhe një grup zbulimi HUMINT (Human Intelligence).
Nga viti 2017 FARSH është e angazhuar në këtë operacion edhe me një grup special.

EUTM Mali

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë u angazhuan në operacionin ushtarak të Bashkimit Evropian, (EUTM Mali), në nëntor 2016, në Republikën e Malit, Afrikë.

Misioni i ushtarakëve, që marrin pjesë në këtë operacion, është mbështetja dhe dhënia e kontributit në funksione të ndryshme EOD. Misioni ka rol trajnues dhe kontingjenti i FARSH është pjesë e grupit EOD, në mbështetje të Kompanisë së Ruajtjes së Bazës në Qendrën e Trajnimit në Koulikoro, në Republikën e Malit.

Sudani i Jugut

Që prej prillit të vitit 2019, Shqipëria përfaqësohet edhe në misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut.

Shtuar më 06/05/2019, ora 14:47

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori