Gazetari shqiptar flet nga Kievi: Ka pasur bombardime të mëdha, ku po qëndrojmë

Gazetari shqiptar Festim Beqiri, në një lidhje me Skype për ABC nga Ukraina tha se situata paraqitet shumë e rëndë. Si i dërguar nga Die Welt ai po qëndron në një hotel të Kievit, ku janë të gjithë gazetarët nga e gjithë bota. Gjatë intervistës me gazetaren Romina Braho, ai tregoi se ka pasur bombardime të mëdha dhe u janë dashur të shkojnë dy herë në bodrumin e hotelit gjatë orëve të fundit.

“Po qëndrojmë në një hotel të gjithë gazetarët e botës, është një vend i sigurt për të gjithë që jeton në Kiev. Situata është tepër e veçantë dhe ne çdo ditë na duhet me shkuar në bodrum. Sipas informatave, ka pasur 352 civilë të vrarë në Ukrainës. Rrezikshmëria është tepër e madhe, janë aktualisht më shumë se 4500 rus që kanë humbur jetën në këtë luftë. Ka pasur bombardime të mëdha, alarme.

Dy herë kemi qenë në bodrum të hotelit për t’u mbrojtur. Deri në orën 8 ka qenë i mbyllur krejt qyteti. Nuk kemi mundur të xhirojmë për 36 orë për shkak të orës policore. Asnjë dyqan nuk është hapur, asnjë bankomat. Të gjithë i kanë mbyllur se rrezikshmëria është e madhe. Kështu që sa ka nisur lufta, personat kanë vepruar dhe kanë blerë ushqime dhe gjërat elementare për të mbuluar këto ditë që janë të vështira.”, tha ai.


Shtuar 28.02.2022 08:17