Ministria e Integrimit rinis fushaten informuese me nxenesit
Pëlqej
Duke e konsideruar informimin e te rinjve thelbësor për procesin integrimit të vendit, Ministria e Integrimit Evropian i rikthehet me hapjen e vitit të ri shkollor, fushatës informuese me nxënësit dhe studentët.

Sot Ministrja e Integrimit Evropian, znj. Klajda Gjosha, mori pjesë në prezantimin e ekspozitës lëvizëse në ambientet e shkollës “Harry Fultz” në kryeqytet. Ministrja zhvilloi gjithashtu, një bashkëbisedim me nxënësit e kësaj shkolle, në lidhje me sfidat që e presin vendin për procesin e integrimit.
“Jam e kënaqur që ne i rikthehemi fushatës informuese me të rinjtë në shkollën tuaj. Ju e dini që pa ju nuk mund të çojmë përpara procesin e integrimit. Jeni pikërisht ju vazhdimësia e tij dhe duhet që ta njihni këtë proces sa më mirë që në bankat e shkollës”, tha Ministrja e Integrimit Evropian.

Ministrja iu përgjigj pyetjeve të nxënësve, të cilët shprehën mjaft interes të dinin më shumë mbi zhvillimet e pritshme. E pyetur për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, Ministrja Gjosha theksoi se pavarësisht se 5 vitet e ardhshme BE-ja, nuk do të ketë anëtarë të rinj, Shqipëria nuk duhet të ndalet për asnjë moment me përmbushjen e detyrimeve të saj.
“Për ne është me mjaft rëndësi realizimi i reformave, për t’i garantuar qytetarëve shqiptarë së pari një të ardhme më të mirë, ju të rinjve më shumë mundësi. Nuk ka rëndësi kur Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Procesi i integrimit është një proces që do të vazhdojë dhe varet nga ne përmbushja e standardeve të kërkuara, pasi vetëm kështu mund të shkojmë në BE”, tha ministrja.

Duke iu përgjigjur interesit të nxënësve për rolin e opozitës në këtë proces, Ministrja Gjosha nënvizoi se kontributi i opozitës është kusht nga BE-ja, por edhe një detyrim që vetë përfaqësuesit e saj kanë ndaj qytetarëve që i kanë votuar, pasi integrimi sipas saj nuk mund të realizohet pa gjithpërfshirje.
Në lidhje me pyetjen cilat janë detyrimet që duhet të plotësojë Shqipëria për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian, Ministrja u shpreh se në fazën që ndodhet vendi, pas marrjes së statusit, përmbushja e 5 prioriteteve të lëna nga Komisioni Evropian është kushti kryesor deri në hapjen e negociatave.


Fushata informuese ka nisur vitin e kaluar në shkolla të larta publike e private në Tiranë dhe në rrethe. Kjo fushatë, iniciative e Ministrisë së Integrimit Evropian, ka për qëllim të afrojë të rinjtë sa më shumë me procesin, duke i konsideruar si forcën shtytëse dhe potencialin më të madh zhvillues për të ardhmen e vendit. Fushata do të vijojë edhe në 16 shkolla të tjera të mesme, një pjesë e madhe e së cilave janë shkolla profesionale.
Shtuar më 24/09/2014, ora 15:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori