Ministria e Drejtësisë reagon pas akuzave të Sekretares së Përgjithshme
Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas akuzave të sekretares së përgjithshme të këtij institucioni, Juliana Hoxha, e cila akuzonte dikasterin se nuk e kishte lejuar sot të hynte brenda në godinë.

Ajo tha se i ishte mbyllur dera. Mirëpo, Ministria sqaron se Hoxha është e pezulluar dhe ka kërkuar që të hyjë me forcë në institucion.

REAGIMI

Ministtis e Drejtësisë rikonfirmon që Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë vijon të jetë ligjërisht i pezulluar nga detyra dhe nuk mund të lejohet të futet në institucion. Urdhri nr. 3817, datë 08.06.2017, i Ministrit të Drejtësisë, me anë të së cilit është urdhëruar pezullimi nga detyra i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, është në fuqi.

Asnjë institucion tjetër shtetëror, përfshirë Departamentin e Administratës Publike apo Komisionerin e Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil, nuk ka cenuar vlefshmërinë e aktit të pezullimit të miratuar nga Ministri i Drejtësisë, për shkak se autoritetin Kushtetues për ta bërë këtë e ka vetëm sistemi gjyqësor në vend. Çdo pretendim tjetër në këtë drejtim është manipulim i opinionit publik, dhe tregues i qartë i mungesës së njohurive minimale juridike.

Ministria e Drejtësisë gjen edhe njëherë rastin të ftojë çdo palë të interesuar dhe që nuk është dakord me aktin e Ministrit të Drejtësisë, që t’i drejtohet Gjykatës, si organi kompetent, që shqyrton ligjshmërinë e vendimmarrjeve të Ministrit të Drejtësisë.

Akti i sotëm i Sekretarit të Përgjithshëm të pezulluar nga detyra, për të hyrë në mënyrë të paligjshme dhe me forcë në institucion, është vijim i akteve të paligjshme të ndërmarra gjatë kësaj kohe, si dhe vazhdim i përpjekjeve për të penguar institucionin eMinistrisë së Drejtësisë që të zbatojë ligjin dhe të marrë masat për të mos lejuar përdorimin e institucioneve shtetërore për qëllime politike, apo për të shfokusuar punën e titullarëve të institucionit në drejtim të parandalimit të përfshirjes së nëpunësve publik në veprimtari politike në kundërshtim me ligjin.

Ky akt i fortë dëshpërimi dhe paligjshmërie, provon edhe njëherë dështimin e depolitizimit të administratës publike, si dhe fatkeqësisht është tregues i qartë i respektit të ulët që zyrtarë të lartë të shërbimit civil kanë ndaj ligjit. Ministria e Drejtësisë fton organin e Prokurorisë të procedojë me seriozitet, shpejtësi dhe efikasitet, kallëzimin penal që kanë depozituar sot Shërbimet e Ruajtjes së Ministrisë së Drejtësisë ndaj znj. Juliana Hoxha, për shkak se hyrja e paautorizuar nënjë institucion të rëndësisë së veçantë, përbën vepër penale dhe është e dënueshme nga Kodi Penal. /albeu.com/
Shtuar më 12/06/2017, ora 20:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori