SHBA paralajmëron mbi rrezikun për llogaritje të gabuara me Kinën mes tensioneve në rritje

Shtetet e Bashkuara po rrisin angazhimin me Kinën pasi Uashingtoni sheh potencialin për llogaritje të gabuara me vendin që gjithnjë e më shumë po bëhet konkurrenti i saj kryesor, thanë zyrtarët amerikanë.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi të mërkurën se Sekretari i Shtetit Antony Blinken do të udhëtojë në Pekin këtë javë.

Gjatë udhëtimit, zoti Blinken pritet të takohet me zyrtarë të lartë kinezë, përfshirë ministrin e Jashtëm Qin Gang, tha departamenti i shtetit.

Udhëtimi shihet si pjesë e përpjekjeve të administratës Biden për të përmirësuar marrëdhëniet me Pekinin pas një sërë përplasjesh diplomatike midis dy vendeve.

“Ne po shkojmë në Pekin me një qasje realiste, të sigurt dhe një dëshirë të sinqertë për të menaxhuar konkurrencën tonë në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme”, tha Daniel Kritenbrink, ndihmës sekretari i shtetit për çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit, në një konferencë telefonike me gazetarët të mërkurën.

Në konferencën telefonike, Kurt Campbell, koordinator për çështjet e Indo-Paqësorit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë tha: “Tani është pikërisht koha për diplomaci intensive”.

Zoti Campbell javën e kaluar bëri thirrje për ruajtjen e “diplomacisë së duhur” me Pekinin, duke thënë se potenciali për llogaritje të gabuara me Kinën po rritet.

Ai i bëri komentet në një diskutim të organizuar nga Instituti Hudson me seli në Uashington.

Sekretari Blinken bëri thirrje të martën për “mbajtjen e linjave të hapura të komunikimit” me Kinën për të shmangur “llogaritjen e gabuar dhe konfliktin” gjatë telefonatës së tij me homologun Qin Gang, sipas një deklarate të Departamentit të Shtetit.

Ministri kinez u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të respektojnë “shqetësimet thelbësore të Kinës” dhe “të ndalojnë ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës dhe të ndalojnë së dëmtuari sovranitetin, sigurinë dhe interesat zhvillimore të Kinës në emër të konkurrencës”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme kineze.

Analistët thonë se gjasat për një përparim në çështjet kryesore dypalëshe mbeten të ulëta gjatë vizitës së zotit Blinken.

“Gjëja më e mirë që mund të arrijë kjo vizitë është krijimi i një hapësire të re për marrëdhëniet dypalëshe dhe hapja e rrugës për takime të tjera në nivel kabineti”, tha Dennis Wilder, ish-drejtor i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Kinën.

“Të flasësh është e rëndësishme edhe kur nuk ka përparime”, tha Patrick Cronin, drejtues i sigurisë për Azi-Paqësorin në Institutin Hudson.

Zoti Cronin tha se të dyja palët mund të shohin një përparim për Ukrainën, tregtinë dhe ndryshimet mjedisore.

“Të shtyrë nga dëshira e ndërsjellë për të punuar së bashku, kur zyrtarët të takohen më vonë gjatë këtij viti, mendoj se Sekretari Blinken do të jetë në gjendje të gjejë disa fusha me interes të përbashkët. Një fund paqësor i luftës në Ukrainë, fillimi i dialogut mbi Inteligjencën Artificiale, tregtinë dhe ndryshimet klimatike janë të gjitha të mundshme”, tha zoti Cronin.

Për vizitën e Sekretarit Blinken në Pekin u ra dakord në takimin e presidentit Biden me presidentin kinez Xi Jinping në Bali të Indonezisë, në nëntor të vitit 2022.

Ai takim nuk siguroi një përparim, por u pa si një hap i rëndësishëm në stabilizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Por tensionet u përshkallëzuan pasi dy palët u përplasën për çështje të nxehta, përfshirë Tajvanin dhe Ukrainën.

Në shkurt, zoti Blinken anuloi udhëtimin e tij në Pekin pasi një balonë spiune kineze hyri në hapësirën ajrore të SHBA-së.

Që atëherë, SHBA-ja ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të rifilluar dialogun me Pekinin pavarësisht tensioneve.

Javët e fundit, ka pasur bisedime të nivelit të lartë midis dy palëve, një shkrirje e mundshme në lidhjet dypalëshe.

Javën e kaluar, zoti Kritenbrink dhe zonja Sarah Beran, drejtoresha e lartë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Kinën, udhëtuan në Pekin për të takuar Ma Zhaoxu, zëvendësministrin e jashtëm dhe Yang Tao, drejtorin e departamentit të çështjeve të Amerikës së Veriut./VOA/


Shtuar 16.06.2023 09:53