Ministri Oketa: Prokuroria të hetojë rolin e ushtarakëve
Albeu.com
Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa deklaroi se gjeneralët kishin informuar Presidentin, Kryeministrin, por asnjëherë në raportet e tyre nuk kanë pasur seriozitetin, apo kanë theksuar faktin se në Gërdec po thurej një tragjedi.Ministri i Mbrojtjes, Oketa, në një intervistë dje është shprehur se është e vërtetë se për Gërdecin janë informuar çdo ditë Presidenti, Kryeministri dhe të gjithë institucionet e tjera shtetërore që duhet ta marrin këtë informacion. Por sipas tij, ky informacion ka qenë rutinë dhe asnjëherë nuk ka pasur seriozitetin, apo faktin se në Gërdec po thurej një tragjedi. “Këto informacione duhet të theksohen më sakte. Këto informacione nuk duhet të jenë pjesë vetëm e një raporti ditor, por të vijnë në mënyra të tjera, duhen ngritur menjëherë, të çohet në të gjitha instancat. Nuk besoj se dhe vetë Presidenti Moisiu, me gjithë informimin e tij ushtarak do kishte mundur që duke lexuar një raport të tillë, të kishte arritur në një konkluzion se në Gërdec po përgatitej një tragjedi e tillë”, - tha dje Oketa. Sa i takon faktit se një nga gjeneralët e liruar kanë shprehur pakënaqësi për vendimin, Oketa theksoi se nëse i shkarkuari, që në këtë rast është gjeneral Bahja, do ta kishte analizuar më mire situatën para ngjarjes së Gërdecit, ashtu siç ka analizuar vendimin e ministrit për shkarkim, aktualiteti do të ishte krejt ndryshe. “Fakti që në momentin që ata cenohen dhe për interesat e tyre personale fillojnë dhe analizojnë një urdhër, do të thotë që dhe urdhrat e tjera duhet t’i analizonin me të njëjtën ndjenjë përgjegjshmërie dhe me seriozitet, siç bëjnë me urdhrat që prekin interesat e tyre. Nëse janë përgjegjës apo fajtorë për çështjen e Gërdecit, janë organet përkatëse qe e vendosin”, - u shpreh dje Oketa. (news24)
Shtuar më 27/05/2008, ora 15:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori