Ministri Lleshaj përplaset me banorët: Stop, s'ju kam asnjë borxh!
Një ndërtesë e dëmtuar në Lezhë është kthyer këtë të martë në një debat mjaft absurd mes Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, banorëve dhe drejtorit të urbanistikës së bashkisë së qytetit Nikë Leka.

Specialistët e bashkisë që kanë parë pallatin janë shprehur se dëmet e bëjnë të rrezikshëm godinën për qytetarët dhe kësisoj i kanë thënë atyre të largohen deri në një ekspertizë përfundimtare.

Por ndryshe mendon Ministri i Brendshëm Lleshaj, i cili mesa duket është dhe ekspert i ndërtesave. Lleshaj ka debatuar me Nikë Lekën, urbanist, duke i thënë se nga ajo se çfarë ai sheh, pallati është në rregull.

Ndërkohë banorët, të lënë në mëdyshje nuk dinë sesi të veprojnë. Por ka qenë Ministri i Brendshëm, i cili i ka ndihmuar më së miri, duke bërë debat me ta dhe duke i thënë se nuk i ka asnjë ‘borxh atyre’

“Nuk jam ekspert. Nga ajo që shoh është se është një ndër pallatet më në gjendje të mirë që kam parë edhe në Tiranë edhe në Durrës. Maksimumi nesër ose sonte do të sjell ekspertë ta shohin. Për të nxjerrë merakun ju. Por një pallat që nuk është thyer një xham nuk ka problem. Ua ka prishur mendjen dikush…”, tha Lleshaj.

Debati:


Banori: Duam të dimë nga një specialist i ndërtimit ku jemi?
Lleshaj: Erdha me pa, i thashë një zonje aty në qoftë se keni ndonjë apartament bosh të vijë të rri këtu s’do ishte keq.
Banori 1: Hajde rri me mua sonte.

Banori 2: Ta lëshoj dhe unë por a ka ndonjë specialist. Jo me duar në xhepa o shef!

Lleshaj: Dëgjo, asnjë borxh nuk të kam. E para njëherë asnjë borxh nuk të kam.

Banori 1: Jo, borxh na ke se ti je shtet. Ne paguajmë taksa, borxh na ke, me na sqaru a të rrimë a mos të rrimë. Nuk duam asgjë tjetër. me na pru një ekspert.

Lleshaj: Nuk ju kam asnjë borxh.

Banori 1: Borxh na ke se paguajmë taksa, unë paguaj taksa për sigurinë e jetës e të gjitha.

Lleshaj: Ke paguar ndonjë taksë ti për sigurinë ndaj tërmetit.
Banori 3: Kemi tre ditë që presim nga shteti që do të vijnë të koalidohet e do vijnë ekspertë.

Lleshaj: Ti çfarë halli ke, pse pret?

Banori 3: Po ku të shkojmë. Me ditë a të rrimë brenda a jo.
Lleshaj: Po kush ka thënë që duhet me dalë.

Banorët: Sot na ka thënë kryetari i bashkisë, me specialistët, inxhinierët. Ka dëmtime serioze, na thënë do i vëmë shiritin.


DEBATI ME DREJTORIN E URBANISTIKËS NË BASHKI:

Leka: Në katër anët e traut janë të çarë. Na duhet një ekspertizë më e specializuar…
Lleshaj: Ti je shefi i urbanistikës. Ti duhet të kesh shumë kujdes kur përhap panik tek banorët.
Leka: Nuk e kam thënë unë
Lleshaj: Kush e ka thënë
Leka: E ka thënë kryetari
Lleshaj: Po kryetari ça është, ça është
Leka: Në gjykimin tim ishte shumë e rrezikshme
Lleshaj: Kjo është xham e gjitha, asnjë xham nuk është thyer, bëni budalliqe kot
Leka: Situata nuk është e mirë
Lleshaj: Stop, kini kujdes. Kur i thua vetes inxhinier kujdes kur flet.

Shtuar më 03/12/2019, ora 18:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori