Ministri i Mbrojtjes Oketa vizitë sekrete në Afganistan
Albeu.com
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Gazmend Oketa i shoqëruar nga një delegacion ushtarak ndodhet prej 3 ditësh për një vizitë sekrete në Afganistan.Lajmi është publikuar sot në Gazeta Shqiptare e cila i referohet burimeve të besueshme në këtë dikaster.
Informacionet për protokollin dhe agjendën e ministrit Oketa në Afganistan kanë qenë mjaft të rezervuara, për shkak te sigurisë se delegacionit shqiptar. Ministri shoqërohet nga komandanti i Brigadës së Reagimit të Shpejtë, kolonel Maksim Malaj, dhe drejtorë të disa drejtorive kryesore në Ministrinë e Brendshme.

Qëllimi zyrtar i vizitës ishte inspektimi dhe takimi me forcat “Komando” të ushtrisë shqiptare, të cilat kryejnë prej 6 vitesh shërbime nën flamurin e NATO-s, për vendosjen e rendit dhe paqes në vendin e trazuar.

Vetëm pak ditë më parë, ushtria shqiptare dërgoi kontingjentin e shtabit për t’iu bashkangjitur forcave ushtarake në Afganistan. Dihet zyrtarisht që në Afganistan shërbejnë rreth 500 forca ushtarake shqiptare. Ndërkohë, dihet që këto forca janë vendosur në tokën afgane prej vitit 2002. Ministri Oketa mësohet se ka pasur takime me forcat ushtarake.

Pjesë e këtij kontingjenti është edhe nënoficeri Afrim Delia, i cili humbi gjatë shpërthimeve të fabrikës së demontimit dhe çmilitarizimit të predhave e municioneve ushtarake, babanë, nënën, gruan shtatzënë dhe djalin.

Sot pritet që pas kthimit nga Afganistani, zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes të përpilojë një deklaratë zyrtare për agjendën dhe takimet e ministrit Oketa dhe delegacionit të tij në Afganistan. (news24)
Shtuar më 14/05/2008, ora 18:26
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori