Ministri i Bujqësisë dërgon për të moshuarit pako me ushqime
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti, vizitoi sot Qendrën Polivalente Ditore për të Moshuarit në Kamëz, për të cilën dhuroi edhe 60 pako, kryesisht me ushqime.

Ministri Panariti, gjatë bisedimit me të moshuarit që qëndrojnë gjatë ditës në këtë qendër, foli për kontributin e tyre në këtë vend, për edukimin që iu kanë bërë brezave, ndërsa tha se do të kërkojë shtimin e qendrave të tilla.

“Në radhë të parë, iu uroj të gjithëve, një Vit të Ri me sa më shumë shëndet, harmoni e lumturi. Unë dhe të gjithë jemi koshient për vlerat tuaja, për sakrificat gjatë gjithë jetës, për të rritur e edukuar brezat më të rinj”, theksoi Panariti, duke shtuar se, “si pjesë e kabinetit qeveritar, do t’i kërkoj kryeministrit dhe Ministrit të Mirëqenjes Sociale, që qendra të tilla të hapen sa më shumë, të shtojnë fondet dhe çdo qytet të ketë qendra të tilla ditore, ku të moshuarit të kalojnë ditët aty, nën kujdesin dhe të strukturave shtetërore”.

Më pas, të moshuarit, disa prej të cilëve kanë shumë vite, që kur është hapur Qendra Polivalente në Kamëz, e falenderuan Ministrin Panariti për prezencën e tij të vazhdueshme, ndihmat dhe kujdesin, pasi edhe fundvitin e kaluar, ka bërë të njëjtën gjë, në të njëjtën qendër. /albeu.com/

Shtuar më 28/12/2016, ora 12:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori