Ministri Bushati në Ministerialin e NATO-s (FOTO-LAJM)

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati merr pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, që u zhvillua në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel.

Ky Ministerial u përqendrua kryesisht në diskutimin e tematikave që pritet të trajtohen në Samitin e NATO-s, që do të mbahet në Uells (Britaninë e Madhe) më 4 dhe 5 shtator të këtij viti.


"Gjatë darkës së punës të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, më 24 qershor, Ministri Bushati adresoi çështjen e zgjerimit të NATO-s. Në këtë kuadër, ai nënvizoi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka vazhdimi i politikës së Aleancës për mbajtjen hapur të dyerve të saj për vendet aspirante që janë të aftë për të përmbushur angazhimet dhe detyrimet e anëtarësimit, duke theksuar se Shqipëria mbetet një mbështetëse e fortë dhe e palëkundur e integrimit euro-atlantik të të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit perëndimor, duke qenë e bindur se kjo është rruga e vetme për garantimin e qëndrueshëm të sigurisë, stabilitetit dhe paqes." thuhet ne njoftimin e MPJ-se.

Në sesion e punës të NAC, të datës 25 qershor, i cili iu kushtua përgatitjeve për Samitin e Uellsit, Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme shprehu konsideratat e Shqipërisë rreth zhvillimeve aktuale në kontekstin e krizës në Ukrainë, analizoi pasojat që ato mund të kenë për marrëdhëniet e NATO-s me Rusinë, si dhe për paqen dhe stabilitetin në Evropë e më gjerë. Ministri Bushati shprehu gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe mbështeti masat e marra nga Aleanca për bashkëpunimin e mëtejshëm NATO-Ukrainë. Më tej, Ministri Bushati theksoi rëndësinë e partneriteteve dhe rolin që ato kanë për bashkëpunimin e ardhshëm në Evropë dhe më gjerë. /albeu.com/
Shtuar më 25/06/2014, ora 15:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori