Ministri Beqaj falenderon vartësit për përkushtimin gjatë vizitës së Papës
Pëlqej
Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar nga Zëvendësministri z. Klodian Rjepaj organizuan sot një takim me përfaqësuesit e njësive të urgjencës, drejtuesit e institucioneve të kujdesit shëndetësor dhe vullnetarët e emergjencave civile për t’i falënderuar posaçërisht për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar për të siguruar mbarëvajtjen e tubimeve të njerëzve, besimtarëve, të ftuarve dhe autoriteteve që shoqëruan Vizitën Apostolike të Atit të Shenjtë Papa Françeskut në Tiranë ditën e Dielë.

Duke i falënderuar në emër të Qeverisë dhe institucionit drejtues të shëndetësisë në vend për kontributin e tyre të vyer në sigurimin e mbarëvajtjes së vizitës jashtëzakonisht të suksesshme të Papa Françeskut në Shqipëri, Ministri Beqaj tha ndërmjet të tjerash në takim se “përveç përkushtimit tuaj, por edhe një lloj sensi të zhvilluar qytetari që të gjithë qytetarët pjesëmarrës në aktivitet treguan dje, ishte edhe puna e mirë përgatitore që ne bëmë në Ministri gjatë gjithë kësaj periudhe”.

Gjithashtu, z. Beqaj foli edhe për punën që po bën ministria për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve për përballimin e aktiviteteve dhe sfidave të ngjashme me këtë vizitë, duke e vënë theksin tek përpjekjet e para në këtë drejtim, lidhur me krijimin e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës, i cili është ende në ndërtim e sipër, dhe projektligjin që sapo ka kaluar në Qeveri dhe është depozituar në Parlament.

“Nga viti i ardhshëm,” – tha më tej ai, “urgjenca mjekësore është një program më vete buxhetor, në buxhetin e shëndetësisë. por, edhe për t’u bërë gati sa më mirë, siç është bërë publike në fakt javën e kaluar, qoftë me rialokimin e buxhetit, qoftë me aktin normativ të buxhetit shtesë, ne sot kemi fondet dhe tashmë kemi filluar nga puna për proçedurat e prokurimit për një helikopter të ri për sistemin tonë të Njësisë së Transportit Mjekësor me Helikopter, për autoambulancat dhe për projekt/design-in e godinës ku do të jetë Qendra Kombëtare e Urgjencës”.

Nga ana e tij, duke folur më hollësisht për organizimin teknik tha midis të tjerash se “përgjigjia ka qenë tejet e shpejtë, tejet profesionale dhe unë besoj se ky ushtrim do të jetë edhe baza e ngritjes së shërbimeve të mëtejshme për këto lloj grumbullimesh masive”, duke shtuar kjo do të na ndihmojnë në “ngritjen në sistem të një përgjigjeje shumë të shpejtë të urgjencës mjekësore në janar të vitit 2016”.
Shtuar më 22/09/2014, ora 14:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori