Ministrat Hyseni dhe Shala i jane drejtuar Grupit Drejtues Nderkombetar
Pëlqej
Albeu.com
Në një seancë të veçantë sot në Bruksel, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, dhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala i janë drejtuar me nga një fjalë Grupit Drejtues Ndërkombëtar.Ministrat Hyseni dhe Shala i janë drejtuar Grupit Drejtues Ndërkombëtar
Në një seancë të veçantë sot në Bruksel, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, dhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala i janë drejtuar me nga një fjalë Grupit Drejtues Ndërkombëtar.

"Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces është i pakthyeshëm", ka theksuar Hyseni para Grupit Drejtues Ndërkombëtar.

Pikë e rëndësishme në fjalën e tij ishte kërkesa dhe nevoja për rikonfigurin e UNMIK ut dhe shtrirjen e shpejtë të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës. Ai ka theksuar që rikonfigurimi i UNMIK ut nuk po ecën me shpejtësinë që kemi dëshiruar ne.

"EULEX-i duhet të jetë i pranishëm në tërë Kosovën sa më parë që të jetë e mundur, për të ndihmuar dhe për të mbikëqyrur realizimin në terren të Planit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari", ka theksuar Hyseni.

Ministri Hyseni ka ripërsëritur se bazë e mjaftueshme për vendosjen e EULEX-it në gjithë Kosovën është Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta, plani i përbashkët aksional i Bashkimit Evropian dhe natyrisht Pakoja gjithëpërfshirëse e presidentit Ahtisari. E gjithë kjo e bën shumë të qartë mandatin që ka EULEX.

Sa u takon gjashtë pikave të negociuara ndërmjet OKB së dhe Serbisë, ministri Hyseni ka thënë se, Prishtina i konsideron si problematike dhe joracionale, prandaj edhe janë refuzuar. Ai theksoi se "ruajtja e karakterit unitar dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme dhe ka ftuar shtetet që përbëjnë Grupin Ndërkombëtar Drejtues që kjo të respektohet".

Në fund të fjalës së tij Hyseni ka ripërsëritur gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, Bashkimin Evropian dhe SHBA të për vendosjen e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Kosovës është siguruar nga përfaqësuesit e shumë vendeve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar se karakteri unitar i Kosovës si dhe integriteti territorial i saj do të ruhet. Përkushtimin për të ruajtur karakterin unitar dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës e kanë shprehur shumë qartë përfaqësuesit e Turqisë, Francës, Gjermanisë, SHBA së, Austrisë, Britanisë së Madhe, Italisë, Suedisë etj.

Ndërsa ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, në fjalën e tij u përqendrua te buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2009, procesi i privatizimit dhe shfrytëzimi i donacioneve të zotuara në konferencën e donatorëve. Ministri Shala ka folur edhe për përpjekjet që Qeveria e Republikës së Kosovës po bën për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, disiplinë fiskale dhe buxhetore. (QIK)
Shtuar më 21/11/2008, ora 23:41
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori