Ministrat e PDSH-së sot bojkotojnë Gruevskin
Albeu.com
Qeveria sot do të mbajë seancë të rregullt ku është paralajmëruar mospjesëmarrja e ministrave të PDSH-se, pas kushtëzimit të kryetarit të kësaj partie Menduh Thaçi për braktisjen e koalicionit.Burime pranë PDSH-së deklaruan sot për agjencinë e lajmeve INA se ministrat e PDSH-së pritet të mos jenë të pranishëm në seancën e rregullt të Qeverisë që zhvillohet sot. PDSH edhe zyrtarisht është shprehur se braktisë koalicionin në rast se arrihet pajtueshmëri me partnerin e koalicionit VMRO-DPMNE për të realizuar gjashtë kërkesat e bëra: ligjin për UÇK-në, zyrtarizimin e gjuhës shqipe, njohjen e shpejtë të Kosovës, rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në administratën shtetërore, përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar në takimet lokale dhe mbylljen e katër rasteve të Tribunalit të Hagës që muajin e kaluar janë kthyer në Maqedoni.

“Partia Demokratike Shqiptare nuk ka si qëllim në vete pushtetin, përkundrazi lidershipi i kësaj partie ka orientime dhe përcaktime të qartë rreth qëndrimit të mëtejmë në ekzekutiv”, thuhet në një komunikatë të publikuar në faqen e internetit të kësaj partie.

Lidhur me këto çështje pritet të mbahet mbledhja e radhës e kryesisë së PDSH-së, ku siç bëhet e ditur pritet të vendoset braktisja e Qeverisë.

Poashtu theksohet se kryeministri Nikolla Gruevski ka refuzuar kërkesat e PDSH-së, ndërsa kryetari i partisë shqiptare Menduh Thaçi ka paralajmëruar braktisjen e Qeverisë. Zëdhënësi i Qeverisë, Ivica Bocevski theksoi për INA se nuk do të komentojë zhvillimet e fundit mes partnerëve të koalicionit dhe paralajmërimet e PDSH-së.

Ky është kërcënimi i dytë i PDSH-së për braktisjen e Qeverisë së koalicionit me VMRO-DPMNE-në, pasi që kjo e fundit nënshkroi një marrëveshje interne të majit vitin e kaluar me BDI-në. (INA)
Shtuar më 11/03/2008, ora 17:07
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori