Ministrat e Brendshëm të BE: Me 8 nëntor vendimi për vizat
Këshilli i Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian i ka hapur sot dritën jeshile shqyrtimit më 8 nëntor nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE të vendimit mbi heqjen e vizave për Shqipërinë.

Ky fakt iu bë i ditur Ministrit të Brendshëm Z. Lulzim Basha nga Drejtori i Përgjithshëm për Çështjet e Brendshme të Komisionit Europian Z. Stefano Manservisi dhe Shefi i Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë në këtë drejtori Z. Luigi Soreca, gjatë një takimi të zhvilluar në Brdo, Slloveni, në kuadër të konferencës rajonale mbi migrimin e paligjshëm, krimin e organizuar, korrupsionin dhe terrorizmin.

Funksionarët e lartë të Komisionit Europian ftuan zyrtarisht Ministrin e Brendshëm Z. Lulzim Basha të asistoje gjatë mbledhjes vendimmarrëse të Ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare të BE për heqjen e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjen.

Shqyrtimi më 8 Nëntor i rekomandimit të Komisionit nga ana e Këshillit të Ministrave të Brendshëm të vendeve të BE është hapi i fundit i vendimmarrjes për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

Zyrtarët e lartë të Komisionit Europian vlerësuan progresin e arritur nga Shqipëria gjatë procesit të liberalizimit të vizave dhe theksuan se heqja e vizave vjen pas përmbushjes së plotë të kushteve të përcaktuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Ministri Basha falenderoi Komisioneren Malmstrom dhe zyrtarët e lartë të Komisionit Europian për mbështetjen e madhe që i dhanë këtij procesi dhe i siguroi ata se puna po vazhdon pa ndërprerje dhe me ritme të shpejta edhe pas këtyre vendimeve historike.

Në veçanti Ministri Basha informoi bashkëbiseduesit mbi fushatën e ndërgjegjësimit të qytetarëve shqiptarë lidhur me përfitimet dhe detyrimet e lëvizjes së lirë në hapësirën Shengen, e po kështu për konsolidimin e arritjeve dhe vazhdimin e reformave në të gjitha fushat.

Shqipëria do të vazhdojë të punojë për të konsoliduar edhe më tej progresin e arritur në të gjitha fushat dhe në të njëjtën kohë mbetet e gatshme të raportojë mbi plotësimin rigoroz të kërkesave dhe detyrave të përcaktuara nga Komisioni Europian dhe implementimin e tyre në të ardhmen,-deklaroi në takim Ministri Basha.

Gjatë punimeve të konferencës përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE, si dhe Raporterja e Parlamentit Europian Znj. Tanja Fajon përgëzuan Shqipërinë për plotësimin e kushteve që çuan në vendimmarrjen për liberalizimin e vizave dhe theksuan se procesi nuk ishte dhuratë, por një proces i bazuar tërësisht në plotësimin nga Shqipëria të standarteve në fushën e sigurisë së dokumentave të identitetit, sigurisë së kufijve, luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Ministri Basha siguroi përfaqësuesit e vendeve anëtare se puna për konsolidimin e arritjeve do të vijojë me të njëjtin ritëm e përkushtim dhe deklaroi se për Shqipërinë përfundimi i procesit të vendimmarrjes për liberalizimin e vizave do të thotë më shumë përgjegjësi për plotësimin dhe implementimin e standarteve europiane në të gjitha fushat.

Gjatë ministerialit të Brdo-s, ministrat e brendshëm të vendeve të rajonit shprehën angazhimin e plotë për të mbështetur dhe çuar përpara nismën e Shqipërisë për qarkullimin e qytetarëve të rajonit pa viza dhe pa pasaporta në të gjitha vendet e rajonit.

Lëvizja e lirë në rajon, e pagëzuar me emrin Shengen-i ballkanik do t’u mundësojë qytetarëve të lëvizin në të gjithë vendet e rajonit vetëm me karta identiteti.

Në kuadër të këtij angazhimi, Ministri i Brendshëm i Serbisë Z. Ivica Dacic informoi Ministrin Basha se Serbia do të kryejë brenda një kohë të shkurtër procedurat për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

Ministri Basha zhvilloi një takim dhe me Drejtorin e Përgjithshëm të EUROPOL-it Z. Rob Wainwright, i cili u shpreh se EUROPOL do të sjellë së shpejti një mision në Shqipëri për të konkretizuar marrëveshjen Shqipëri-EUROPOL.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, policia shqiptare do të ketë të njëjtin akses për informacion dhe të njëjtin nivel të shkëmbimit të informacionit në fushën operacionale, ashtu si të gjitha shërbimet policore të vendeve anëtare të BE.
Gjatë qëndrimit në Slloveni, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha nënshkroi me Ministren e Brendshme të Sllovenisë Znj. Katarina Kresal protokollin e bashkëpunimit për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar në të dy vendet.
Shtuar më 20/10/2010, ora 17:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori