Minatoret para kryeministrise, shtyrje me policine
Albeu.com
Një grup i minatorëve shqiptarë ka nisur sot protestën para Kryeministrisë në Tiranë, duke kërkuar më shumë të drejta, ku përfshihet edhe statusi i minatorit. Minatorët të cilët kërkojnë me insistim takim me kryeministrin, kanë tentuar ...... të hyjnë me forcë në godinën e qeverisë. Forcat e shumta të policisë rreth institucionit të Kryeministrisë kane ndalur mësymjen dhe kanë shtyrë për disa metra larg godinës protestuesit.

Kreu i sindikatës së minatorëve, Fiqiri Xibri, duke folur para minatorëve me një autoparlant, ka thënë se sot është dita vendimtare kur minatorit do t’i plotësohen kërkesat. Xibri mandej ka kërkuar një takim me kryeministrin Berisha për të parashtruar kërkesat e tyre.

Ai ka akuzuar qeverinë se ka qëndruar indiferente ndaj kërkesave të tyre. “Kërkojmë me urgjencë miratimin e statusit të minatorit. Sali Berisha të mbledhë sot qeverinë dhe ta miratojë”, tha Xibri për mediat. Minatorët kanë kërkuar edhe uljen e çmimit të energjisë elektrike.

Në mbështetje të minatorëve ka dalë edhe kreu i Konfederatës së Sindikatave.

Institucioni i Kryeministrisë është rrethuar me 4 kordonë policie, ndërsa ushtarakë të armatosur janë vendosur në tarracën e godinës së qeverisë. Disa minatorë nuk janë ndalur dhe janë konfrontuar me policinë. Nuk ka të lënduar mes palëve, vetëm një person qe ka rënë në gjendje të fikti.
Mësohet se policia ka shoqëruar disa prej minatorëve në polici.
Kjo nuk është protesta e pare e minatorëve. Disa muaj më parë ata protestuan dhe kërkuan nga qeveria që të miratojë statusin përfundimtar te minatorit, të rishikohet mosha e pensionit dhe pagat. Minatorët kërkojnë që të dalin ne pension zyrtarisht në moshën 50 vjeçe.
Shtuar më 20/02/2010, ora 22:32
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori