Mimoza Kusari humb betejen juridike per Gjakoven
Albeu.com
Kandidatja e Aleancës Kosova e Re për kryetare të komunës së Gjakovës Mimoza Kusari Lila, ka humbur përfundimisht betejën e saj me kandidatin e Aleancës për ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.
Siç transmeton sot Radio Kosova, duke u mbështetur në “burime të veta”, Gjykata Kushtetuese tashmë ka përfunduar shqyrtimin e lëndës për procesin elektoral në Gjakovë.
Organi më i lartë për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se kërkesa e kandidates së AKR-së për shfuqizimin e vendimit të KQZ –së, për certifikim të zgjedhjeve në komunë e Gjakovës është e pa bazë.
Burime brenda Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i kanë thënë Radio Kosovës, se pas interpretimit ligjor të çështjes së procesit zgjedhor të Gjakovës, rezulton se kandidatja e AKR-së nuk ka arritur të përcjell me kohë dhe në mënyrë të duhur ankesat e saj në organet përkatëse.
Për këtë shkak KQZ ka mundur të marr vendim për certifikim të zgjedhjeve në Gjakovë.
Zyrtarisht në Gjykatën Supreme nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje.
Ndërsa palët në këtë kontest zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kandidatja e AKR-së Mimoza Kusari Lila kanë thënë se nuk e kanë marrë akoma përgjigjen zyrtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës dy javë më parë ka mbajtur seancën dëgjimore rreth kërkesës së kandidates së AKR-së për komunën e Gjakovës Mimoza Kusari Lila, e cila ka kërkuar të shfuqizohet vendimi i KQZ-së për certifikim të zgjedhjeve të 15 nëntorit në Gjakovë.
Shtuar më 23/02/2010, ora 21:58
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori