Milloshovski: Maqedonia mbeshtet heqjen e vizave brenda 2010-es per Shqiperine
Albeu.com
Kreu i diplomacisë maqedonase Antonio Miloshoski zhvilloi një takim zyrtar me homologun e tij shqiptar Ilir Meta. Ministri Meta tha se në takim u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy vendeve si dhe nevojës për të intensifikuar edhe më tej marrëdhëniet diplomatike."Kemi ndarë dëshirën për më shumë bashkëpunim ekonomik, për rritje të shkëmbimeve tregtare dhe zgjerim bashkëpunimi në fushën e transporteve", u shpreh Meta.
Ministri Meta tha se Maqedonia e Shqipëria kanë projekte të përbashkëta në fushën e energjisë.
Sipas Metës, Shqipëria është e interesuar për vazhdimin e reformave në Maqedoni dhe pala shqiptare mendon se është i nevojshëm zbatimi i marrëveshjes së Ohrit.
"Maqedonia ka luajtur një rol shumë stabilizues për rajonin tonë dhe në këtë kuadër Shqipëria përshëndet nënshkrimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Kosovën dhe vendosjen e marrdhënieve diplomatike mes tyre", tha më pas ai.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshovski tha se ekziston gatishmëria për të zgjeruar marrëdhëniet me Shqipërinë në të gjithë fushat. "Ne po punojmë që raportet mes dy vendeve të jenë të shkëlqyera. Ka projekte kyçe, si Korridori 8, por ne jemi të gatshëm edhe për të rritur bashkëpunimin në fushën ekonomike dhe tregtare", shtoi ai. Ministri i jashtëm maqedonas tha se duhet gjetur një mënyrë për të forcuar bashkëpunimin në fushën e integrimit europian.
Milloshovski tha se Maqedonia mbështet heqjen e vizave për Shqipërinë brenda 2010-ës. "Sa i përket procesit të heqjes se vizave ne mbështesim procesin në Shqipëri, dhe mbështetja jonë do synojë që kjo të sigurohet për Shqipërinë brenda 2010-ës", pohoi ai.

Dy ministrat nënshkruan Protokollin për bashkëpunim midis ministrive të jashtme të të dy vendeve dhe Protokollin për bashkëpunim midis Drejtorive për edukim diplomatik pranë MPJ-së së Maqedonisë dhe Akademisë Diplomatike Shqiptare të Shqipërisë.
Shtuar më 08/02/2010, ora 17:35
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori