Milic: Kosova nuk u shkeput nga qejfi
Albeu.com
Zbulimi i varrezës masive në Rashkë hedh dritë të re mbi të gjitha ato që kanë ndodhur në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999, thotë Jelena Miliq, drejtoreshë e Qendrës për Studime Evroatlantike në Beograd.Tani edhe opinioni i gjerë mund të njihet me një pjesë të vogël të asaj çfarë ka ndodhur në Kosovë, ndërsa për ata që më gjatë i ndjekin zhvillimet kjo është edhe një dëshmi që komuniteti ndërkombëtar në vitin 1999 ishte para dilemës së madhe sesi të reagojë ndaj shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut të civilëve shqiptarë në Kosovë, thotë Jelena Miliq për "Dojçe vele". "Për opinionin serb është e domosdoshme që ta kuptojë që ne nuk jemi bombarduar, as që Kosova nga ne është shkëputur për pikë qejfi, por kësaj i parapriu shkelja e serioze e të drejtave të njeriut, dhe përdorimi tej mase i forcës nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe", tha Miliq. Sipas saj, në këtë moment është vështirë të thuhet nëse bëhet fjalë për koincidencë, por tajmingu i zbulimit të kësaj varreze masive mund të ndërlidhet edhe me procesin që Serbia e nisi para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për vlerësimin e pavarësisë së Kosovës, thotë Jelena Miliq. "Mendoj se ky është një gjest i mirë. Që opinioni ynë ngadalë të përgatitet që ndoshta ky deklarim gjykatës nuk do të jetë ashtu pozitiv siç e fiton përshtypjen njeriu se do të bëhet në bazë të deklaratave energjike të ministrit tonë të punëve të jashtme (Vuk Jeremiq)", thotë Miliq. Drejtoresha e Qendrës për Studime Evroatlantike në Beograd shpreson që zbulimi i kësaj varreze masive mund të nisë bisedime të mëtejshme të Beogradit dhe Prishtinës për zgjidhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur në Kosovë.
Shtuar më 11/05/2010, ora 17:11
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori