Miletic: Nuk e kam ditur se me hyrjen ne Parlament rrezikoj jeten
Albeu.com
Deputeti serb në Parlamentin e Kosovës, Petar Miletic, ka deklaruar të martën se e ka të vështirë të besojë se është sulmuar vetëm se i përket ndonjë opsioni tjetër partiak, apo për shkak të pjesëmarrjes së tij në punën e institucioneve të Kosovës.
Miletic është plagosur ditën e hënë në veri të Mitrovicës në të dyja këmbët dhe tashmë ndodhet për shërim intensiv në spitalin e këtij qyteti. Një ditë pas plagosjes, Miletic ka deklaruar për një medium serb të veriut se ka qenë i vetëdijshëm për rrezikun që ka marrë kur ka pranuar postin e deputetit në Kuvendin e Kosovës, por nuk e ka ditur se me këtë do ta rrezikojë edhe jetën e tij.

“Kam dashur të marr një rrezik të tillë, sepse kam menduar se në institucionet e Kosovës mund të bëhet diçka e dobishme për serbët. Kjo ka qenë arsyeja kryesore që kam pranuar një post të tillë. Kam mundur të jetoj edhe pa këtë post, por kam menduar se është e kuptimtë të jem aty. Për fat të keq, dikush mendon se kjo nuk ka kuptim, dhe jo vetëm që s’ ka kuptim, por duhet ta pengoj edhe fizikisht atë që pranon një post të tillë”, ka thënë ai.

Miletic ka deklaruar se në politikë ka marrë qëndrimin e duhur dhe se nuk dëshiron ta ndryshojë qëndrimin e tij. Ai ka mohuar të ketë kontakte zyrtare me përfaqësuesit e autoriteteve në Beograd, por ka pranuar se me disa prej tyre, të cilët i ka njoftuar gjatë punës së tij si gazetar, bashkëpunon privatisht.

Deputeti Miletic është plagosur të hënën rreth orës 08:00 para shtëpisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërkohë që mjekët nga spitali i veriut të qytetit kanë bërë të ditur se ai është plagosur nën gjurin e këmbës së majtë dhe se pas intervenimit kirurgjik jeta e tij nuk është në rrezik.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka deklaruar se sulmi i armatosur është kualifikuar si tentim vrasje. (rtv21)
Shtuar më 06/07/2010, ora 21:21
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori