Kanceri oral/ Nga dhëmbë që lëvizin te shqetësimi në vesh, shenjat që tregojnë se keni një masë tumorale në gojë

Ashtu si çdo formë tjetër kanceri, shenjat e hershme të kancerit oral shpesh kalojnë pa u vënë re dhe kuptohen vetëm kur rriten në trup. Megjithatë, nëse dikush është i vëmendshëm për shenjat dhe simptomat e ndryshme të sëmundjes, rritja e kancerit mund të kontrollohet në një fazë të hershme dhe mund të shtojë vite më të vlefshme në jetën e një individi.

Çfarë duhet të vini re:

Plagë që nuk shërohen

Ndërsa plagët e gojës ose plagët në buzë shihen te shumë njerëz dhe ndodhin kryesisht për shkak të mungesës së vitaminës C, duhet theksuar se plagët që nuk shërohen mund të kenë natyrë kanceroze. Nëse keni plagë në gojë dhe vëreni se ato nuk zhduken për një kohë më të gjatë, duhet të shkoni patjetër tek mjeku.

Njolla të bardha në gojë

Një njollë e bardhë ose ndonjëherë e kuqërremtë në brendësi të gojës mund të tregojë kancer. Ndonëse ka disa arsye që mund të fshihen pas saj si problemet e stomakut apo infeksioni i gojës, por nëse ndikon në shijen apo edhe në të folur, këshillohet që të merrni ndihmë mjekësore.

Dhëmbë që lëvizin

Nëse dhëmbët tuaj lirohen dhe bien pa asnjë shpjegim, duhet të parashikoni gjithmonë diçka serioze dhe të mos vononi takimin me mjekun.

Gungë brenda gojës

Shenja e parë dhe kryesore e tumoreve kancerogjene është një rritje me gunga. Kur një sipërfaqe normale e gojës ka një rritje me gunga, patjetër që do të vihet re.
Në raste të tilla, mos prisni që gunga të largohet vetë. Në vend të kësaj, shkoni patjetër tek mjeku.

Dhimbje në gojë

Dhimbjet e pashpjegueshme në gojë që mbeten për një kohë më të gjatë duhet të trajtohen në mënyrë mjekësore.
Edhe pse mund të ketë disa shpjegime për dhimbjen në gojë, nuk duhet të përjashtohen arsyet më të këqija.

Dhimbje në vesh

Nëse ju dhembin veshët pa u infektuar, bëni një kontroll të plotë të veshit, hundës dhe fytit nga një specialist.

Dhimbje gjatë gëlltitjes

Një rritje e një mase kancerogjene në gojë do të ndikojë patjetër në mënyrën se si ushqeheni. Nga përtypja tek gëlltitja, rritja e qelizave kancerogjene në gojë do të ndikojë në çdo funksionim normal të gojës.
Nëse keni vështirësi në gëlltitjen e ushqimit, mos prisni dhe vizitoni menjëherë një mjek.

Sëmundjet orale prekin afro 3.5 miliardë njerëz

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), sëmundjet orale, duke përfshirë forma të ndryshme të kancerit oral, prekin 3.5 miliardë njerëz në mbarë botën.
Llojet e ndryshme të sëmundjeve orale janë: kariesi ose prishja e dhëmbëve, sëmundja periodontale ose sëmundja e mishrave të dhëmbëve, trauma oro dentare, çarje e buzëve dhe qiellzës etj.

Kanceri oral në rang global

Statistikat tregojnë se rastet e kancerit në gojë ose buzë janë 4 në 100 mijë njerëz, ndërsa kjo formë e kancerit është më e zakonshme tek meshkujt dhe të moshuarit. Faktorët kryesorë të rrezikut të kancerit oral janë konsumimi i duhanit dhe alkoolit.


Shtuar 21.06.2023 16:00