Polici që u plagos mbrëmë në Zhur të Prizrenit ka humbur njërin sy, si është gjendja e tij

Gjatë aksionit të mbrëmshëm në fshatin Zhur të Prizrenit, dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë lënduar rëndë pas një shpërthimi të eksplozivit që ishte vendosur në një prej dhomave të shtëpisë që është bastisur.

Polici Sami Thaçi, humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi ndërsa kolegu i tij, Artur Mrasori është plagosur rëndë në pjesën e fytyrës.

Lajmin e ka konfirmuar edhe mjekja kujdestare në Repartin e Intensivës në QKUK ku po trajtohet Mrasori, Agreta Gecaj.

“Pacienti është ende në gjendje të rëndë, por stabile. Fatkeqësisht, syrin e djathtë e ka humbur si pasojë e lëndimeve të marra nga shpërthimi dhe tash po përcjellim vazhdimisht gjendjen e tyre”, ka thënë Gecaj.

Kujtojmë se nga rasti është plagosur edhe djali 8-vjeçar i të dyshuarit që kishte vendosur eksplozivin në derën e një dhome të shtëpisë.

I dyshuari tashmë është arrestuar dhe ndaj tij është kërkuar të vendoset masa e paraburgimit nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.

/PORTALI.info/


Shtuar 29.01.2020 22:15