Mijera qytetare protestuan kunder 6 pikeshit
Albeu.com
Mijëra qytetarë të Kosovës, protestuan sot në Prishtinë kundër vendosjes së EULEX-it bazuar në planin 6 pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun, i cili është kundërshtuar edhe nga institucionet si dhe subjektet politike të vendit.
Marshuta e protestuesve është nisur nga Biblioteka Kombëtare dhe përfundon tek selia e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX. Protesta është organizuar nga disa organizata joqeveritare dhe Lëvizja “Vetëvendosje”, pikërisht në ditën kur ishte paralajmëruar fillimi zyrtar i misionit të EULEX-it.

Qytetarët kanë brohoritur parulla “EULEX-UNMIK merri plaçkat edhe ik”, “Ik n’Serbi Lamberto Zannieroviq”, “Kundër 6 pikave për sovranitet”, “Hashimi? - edhe i bukur edhe tradhtar”, “Fatmir as fat as i mirë”, “Skënder, le krejt” etj.

Demonstrata ka nisur para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, për të vazhduar më pastaj para ndërtesës së UNMIK-ut, ku organizuesit e saj i janë drejtuar masës së tubuar.

Xhafer Xhaferi nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka kërkuar që Kosova të ecën përpara me zhvillim dhe jo të ketë kthim prapa të proceseve.

Ndërkaq, lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, i ka akuzuar liderët e Kosovës se po e gënjejnë popullin dhe ka shpjeguar se plani gjashtëpikësh i sekretarit Ban Ki-Moon është përfshirë në planin për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë – respektivisht, shtrirjes sipas modelit që ka kërkuar Serbia.
Shtuar më 02/12/2008, ora 20:22
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori