Metës i hap derën "armiku" i BE-së, Viktor Orban
Presidenti i Republikës së Shqipërisë është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Hungari ku edhe është pritur nga kryeministri i këtij vendi Viktor Orban.

Ai njihet për problemet e mëdha që ka shkaktuar me Europën duke u cilësuar edhe si armiku më i madh i BE-së brenda këtij komuniteti.

Po ashtu, Orban i ka shpallur luftë Soros-it duke mbylur aktivitetet e shoqatave të tij në Hungari.

Pas takimit, ata kanë dhënë një prononcim për mediat.

Meta: Jam shumë i lumtur për këtë takim që pata me kryeministrin Orban për të konfirmuar edhe një herë miqësinë e shkëlqyer dhe tepër të fortë midis dy vendeve dhe kombeve tona, por njëkohësisht edhe marrëdhëniet mjaft premtuese për të ardhmen mes Shqipërisë dhe Hungarisë në të gjitha drejtimet.

Po kështu për ta falënderuar kryeministrin Orban për mbështetjen e palëkundur që Hungaria i jep së ardhmes evropiane të Shqipërisë. Me shumë kënaqësi presim kryeministrin Orban të rikthehet në Shqipëri dhe duhet të vijë patjetër në këtë Vit të Skënderbeut.

Orban: Dëshiroj të shpreh lumturinë tonë për vizitën e Shkëlqesisë së Tij në Hungari, sepse është gëzim dhe respekt të presim Presidentin e Shqipërisë si vizitor në Budapest jo vetëm për arsye politike, por edhe personale, sepse e njohim njëri-tjetrin për më tepër se njëzet vite. Veteranët politikë e njohin njëri-tjetrin shumë mirë. Edhe në politikën moderne marrëdhëniet personale kanë rëndësi. Natyrisht që besimi mbështetet në marrëdhëniet ndër-shtetërore, por ai është i rëndësishëm edhe në marrëdhëniet ndër-personale gjithashtu. Kështu që të dy përpiqemi t’u shërbejmë popujve tanë në mënyrë që të krijojmë marrëdhënie të mira shqiptaro-hungareze.

E sigurova Shkëlqesinë e Tij se Hungaria është një nga mbështetëset kryesore të integrimit perëndimor të Shqipërisë, sidomos të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Hungaria dhe ne personalisht do të bëjmë çdo gjë për ta përshpejtuar atë proces, dhe t’ua bëjmë të qartë udhëheqësve evropianë se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk është i rëndësishëm vetëm për Shqipërinë. Nuk është i rëndësishëm vetëm për rajonin, por është bindja ime personale se është i rëndësishëm edhe për vetë Bashkimin Evropian, sepse Shqipëria si një vend i ri anëtar, mund t’i japë energji pozitive, ambicie dhe një shtysë të re Bashkimit Evropian, gjëra për cilat patjetër që kemi nevojë.

Prandaj shpresoj se ju do të keni një të ardhme të mirë dhe ne do të kemi gjëra të mira në të ardhmen për të bashkëpunuar mes Hungarisë dhe Shqipërisë, Presidentit i Shqipërisë, Hungarisë dhe udhëheqjes e shtetit.
Shtuar më 21/06/2018, ora 10:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori