METE u heq licencën 4 kompanive të karburanteve
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vendosi sot heqjen e licencës për 4 shoqëri të tregtimit të karburanteve dhe pezullimin e veprimtarisë me 30 ditë për 7 shoqëri të tjera, pasi aktiviteti ekonomik i tyre nuk zhvillohej në përputhje me ligjin në fuqi.

Zyra për shtyp, tha se ky vendim i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka ardhur pas inspektimeve më të fundit që janë bërë nga Inspektoriati Qëndror Teknik dhe pas urdhrit të Ministrit të METE, Nasip Naço, për verifikimin e shqetësimeve që kishin ardhur në adresë të METE për tregtimin e nattës bruto jashtë destinacionit ligjor dhe teknik të përdorimit të saj.

Inspektoriati Qëndror Teknik ka realizuar 430 inspektime, prej të cilave 8 janë shoqëruar me akte ndalimi për shkelje flagrante të kushteve teknike të sigurisë. Në të gjitha këto inspektime janë plotësuar akte kontrolli dhe akte inspektimi, duke përcaktuar detyra me afate për vendosjen e instalimeve sipas kërkesave teknike të sigurisë dhe njëkohësisht duke paralajmëruar subjektet se për mos plotësimin e detyrave do të vendosen gjoba sipas kërkesave ligjore.

IQT ka ushtruar kontrolle në disa nga shoqëritë e tregtimit me shumicë të naftës dhe nënprodukteve të saj dhe pas këtyre kontrolleve kanë ardhur propozimet përkatëse në drejtim të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila vendosi sot për heqjen e licencës për 4 shoqëri dhe për pezullimin e veprimtarisë për 7 shoqëri të tregtimit me shumicë.

U është hequr licenca:

- Shoqërisë "Erkoci-Ad-El" sh.a.
- Shoqërisë "Dhima" sh.a
- Shoqërisë "Omegaz Energy" sh.a
- Shoqërisë "Edi Kompani" sh.a
U është pezulluar licenca (leja e tregtimit):
- Shoqërisë "Tiramol" sh.a
- Shoqërisë "Albania Airlines & Jet Fuel Supply" sh.a
- Shoqërisë "Beusal" sh.
-Shoqërisë "Pilinci Enterprise Co"
-Shoqërisë "Orient" sh.a
-Shoqërisë "Jemishta" sh.a
- Shoqërisë "Auto Lubrifikant" sh.a
Shtuar më 16/03/2011, ora 18:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori