Mbrojtja fut “ujë”, Tare interesohet për mbrojtësin e Chelsea

Humbja e thellë 1-4 ndaj Atalantës në mesjavë, por edhe dëmtimi i mbrojtësit rumun Radu, i cili po ndalet shpesh në infermieri kohët e fundit, ka bërë që Igli Tare të lëvizë për të sjellë një tjetër futbollist në repartin e prapavijës te Lazio.

Duke qenë se kanë mbetur shumë pak orë nga fundi i merkatos, Drejtori Sportiv i Lazios po mendon të shfrytëzojë ndonjë mundësi të merkatos, për të marrë në huazim ndonjë futbollist që nuk bën pjesë në planet e skuadrës ku luan.

Kështu shqiptari ka vendosur së fundi kontakte me Chelsea-n për të marrë mbrojtësin francez Malang Sarr, i cili nuk ka vend në formacionin e Lampard dhe londinezët janë gati ta japin në huazim me kushtin që të luajë sa më shumë.

Për mbrojtësin e talentuar francez interesohen edhe klube të tjera dhe londinezët preferojnë një huazim në kampionatin anglez, por Tare vijon të këmbëngulë, pasi Sarr është vetëm 21 vjeç dhe mund të përfshihet lehtësisht në listën e federimeve si në Itali, ashtu edhe në Europë.


Shtuar 3.10.2020 16:39