Meta uron Pashkët: Të punojmë për një të nesërme më të mirë
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët ortodoks për festën e Pashkëve. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, deputetja Monika Kryemadhi, Meta zhvilloi një vizitë në Katedralen Ortodokse të kryeqytetit "Ngjallja e Krishtit".

Në një prononcim për median pas vizitës, Kryetari i Kuvendit u shpreh se në këtë ditë të Pashkëve ai u uron të gjithë besimtarëve ortodoks dhe qytetarëve shqiptarë më shumë dashuri dhe mirësi për të ardhmen.

"Është kënaqësi e veçantë për të gjithë besimtarët ortodoks dhe të gjithë shqiptarët në këtë ditë të shenjtë të Pashkës, në këtë ditë e cila na sjell në mendje vlerat e besimit dhe të sakrificës dhe në veçanti të besimit tek sakrifica si rruga që na çon drejt dashurisë, faljes, mirësisë dhe të ardhmes. Dhe natyrisht që kjo ditë e shenjtë e Pashkës dhe ringjalljes së Jezusit është një mundësi e shkëlqyer për të besuar se e nesërmja do të jetë më e mirë dhe për të punuar të gjithë së bashku për këtë qëllim", u shpreh kryeparlamentari.

Në vijim të urimit të tij, Kryetari i Kuvendit theksoi se kjo është një festë për të gjithë qytetarët shqiptarë falë harmonisë fetare që ka Shqipëria.

"Gëzuar edhe një herë këtë festë e cila është e gjithë qytetarëve tanë falë kësaj harmonie të mrekullueshme fetare që kemi", përfundoi Meta. /albeu.com/
Shtuar më 12/04/2015, ora 14:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori