Meta u dërgon letra ngushëllimi homologëve të tij francezë
Kryetari i Kuvendit u ka dërguar letra ngushëllimi homologeve te tij franceze, Presidentit te Asamblesë Kombëtare te Francës z. Claude Bartolone dhe Presidentit te Senatit Francez z. Gerald Larcher.

I nderuar Zoti President,
Me trishtim të thellë kemi ndjekur sulmin barbar dhe tragjik në ambjentet e redaksisë së revistës “Charlie Hebdo” në Paris, ku humbën jetën 12 gazetarë dhe punonjës të policisë, si dhe u plagosën shumë të tjerë.

Autorët e këtij akti tepër të rëndë terrorist që goditi penën dhe mendimin e lirë të gazetarëve dhe që ka tronditur mbarë njerëzimin, duhet të përballen me ndëshkimin maksimal.

Në këtë moment tejet të vështirë për popullin tonë mik francez dhe në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, më lejoni t’Ju përcjell ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e viktimave, dhe të urojmë një shërim sa më të shpejtë për personat e plagosur.

Kjo ngjarje e shëmtuar dhe e papranueshme për vlerat e demokracisë dhe tolerancës që popujt tanë përfaqësojnë, na e përforcon bindjen tonë të palëkundur për forcimin e radhëve të koalicionit tonë demokratik në luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe kundër çdo force të errët që cënon lirinë tonë të shprehjes dhe tolerancën e çmuar që gëzojmë sot në Evropë.

Sot Shqipëria është një me Francën dhe populli shqiptar është një me popullin francez. Me solidaritetin tonë të plotë dhe duke dënuar këtë akt të tmerrshëm terrorist, ju siguroj zoti President se gjendemi përkrah jush dhe miqve tanë francezë, në këto ditë të vështira zie", përfundon letra. /albeu.com/

Shtuar më 08/01/2015, ora 13:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori