Meta tre orë takim me aleatin e Bashës, Duka: Presim diçka pozitive
Ditën e djeshme kryetari i LSI, njëkohësisht kryetari i Kuvendit Ilir Meta, zhvilloi një takim mne Agron Dukën, kreun e PAA-së.

Mësohet se takimi i tyre ka zgjatur rreth 3 orë dhe vjen pasi Duka i kishte dërguar një letër Metës, ku e ftonte të dilte nga qeveria për të krijuar një qeveri teknike.

I kontaktuar nga mediat, Agron Duka tha se pjesë e drekës së gjatë me kryetarin e Kuvendit ishte pa dyshim edhe protesta e opozitës.

“Sigurisht që folëm gjatë drekës dhe për protestën e opozitës dhe kushtet që ajo ka vendosur. Nuk mund të shmangej kjo temë e ditës. Por nuk pati ndonjë bisedë më shumë se sa përmbajtja e letrës që unë i kisha dërguar më parë”, tha Duka, shkruan Panorama.

I pyetur se cili ishte qëndrimi i Metës për kërkesat e PD-së, Duka tha se “unë gjykoj që ishte pozitive deklarata e tij gjatë konferencës për shtyp me Kadri Veselin për respektimin e protestës së opozitës”.

Një ditë më parë Duka i dërgoi një letër Metës ku ndër të tjera i shkruante “Qeveria teknike është një instrument politik që ju e keni artikuluar publikisht. Qeveria teknike është një garanci për zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Qeveria teknike do të jepte një tjetër hov procesit demokratik në vendin tonë. Qindra mijëra qytetar kërkuan këtë në 18 shkurt. Le t’ju japim atyre këtë mundësi. Të shkojmë në zgjedhje me qeveri teknike, jo vetëm për të mbrojtur zgjedhësit dhe zgjedhjet, por për të hequr një herë e mirë nga ligjërata politike post zgjedhore foljen “vjedhje”.

Nëse zgjedhjet do të organizohen me një qeveri sa më gjithëpërfshirëse, asnjë parti politike nuk do të ketë justifikime ose pretendime për rezultatin e 18 qershorit. Ky do të jetë edhe një rast i mirë për të dhënë një provë pjekurie politike të domosdoshme për procesin e integrimit evropian”./albeu.com/

Shtuar më 21/02/2017, ora 11:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori