PS përjashton “Berishën” nga negociatat për presidentin e ri, Balla: Nuk i njoh!

Partia Socialiste duket se nuk do të përfshijë Komisionin e Rithemelimit në negociatat për zgjedhjen e presidentit të ri.

Duket se diskutimet për këtë çështje do të mbahen vetëm me Enkelejd Alibeajn, në cilësinë e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

“Konsultimet me grupet parlamentare të opozitës, dhe do i propozonim këtu grupeve në një takim të martën pasdite, Alibeaj si kryetar i PD, Mesila Doda dhe Fatmira Mediun”, tha Balla.

Teksa u pyet se pse nuk ka asnjë emër nga Komisioni i Rithemelimit, Balla nuk i kurseu ironitë duke thënë se nuk ka në Kuvend një grup të tillë parlamentar.

“Historikisht në Kuvendin e Shqipërisë ndodh të gjitha proceset që kanë ndodhur që nga 2002. Konsultimet janë brenda Kuvendit. Kushtetuta vetëm këto parasheh. Nuk di që në Kuvend të ketë një grup parlamentar. Si ishte Këshilli? Apo Komisioni i Rithemlimit. Nëse do kishte do ishte grupi i pestë nuk e njoh”, tha Balla.

“E kemi të pamundur të parashikojmë gjendjen me opozitën. Të shohim çfarë ndodh se gjithçka është e mundur me ta”, tha Spiropali./albeu.com/